Shefi amerikan i Mbrojtjes në Izrael, takon Netanyahun dhe homologun e tij izraelit

30/10/2020 09:16

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Mark Esper, në një vizitë në Izrael u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Benny Gantz, transmeton Anadolu Agency (AA).

Esper arriti në Izrael pas vizitave në Bahrein dhe Jordani.

Në një deklaratë me shkrim nga Pentagoni thuhet se Esper u prit nga Netanyahu në Tel Aviv dhe se të dy përsëritën angazhimin e tyre për bashkëpunim në interes të dy vendeve, duke adresuar shqetësimet e sigurisë në rajon.

“Esper përsëriti angazhimin e SHBA-së për të siguruar epërsinë ushtarake të Izraelit. Të dy udhëheqësit ranë dakord mbi zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe të sigurisë”, thuhet në deklaratë.

Esper dhe Netanyahu po ashtu kanë diskutuar procesin e normalizimit të vazhdueshëm midis Izraelit dhe vendeve arabe.

Më pas, sipas deklaratës së Pentagonit, Esper u takua me Gantz në Tel Aviv dhe diskutoi bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e mbrojtjes.

Top Channel