Rusët nuk po u kushtojnë shumë vëmendje zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara këtë radhë, ndryshe nga zgjedhjet e 2016-ës, që i ndoqën me shumë interes, pasi Kremlini i paraqiti ato votime si dallim të madh mes lidhjeve më të afërta mes Uashingtonit dhe Moskës nën Presidentin Trump më miqësor dhe acarimeve të mëtejshme nëse fitonte pretendentja demokrate Hillary Clinton.

Katër vjet më parë në nëntor, rusët përshëndetën zgjedhjen e zotit Trump me festime deri në orët e vona.

Euforia ushqehej nga bindja e nxitur nga zoti Trump dhe Kremlini se fitorja e kandidatit Trump do të ishte fitore edhe për marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Sa mirë do të jetë nëse shkojmë mirë me Rusinë,” pat thënë zoti Trump.

Por vëzhguesit e zhvillimeve në Rusi thonë se ky “optimizëm” mungon në garën e 2020.

Jam e bindur se Kremlini, ndryshe nga publiku i gjerë, po i ndjek me shumë vëmendje dhe po analizon se si mund të ndikojnë zgjedhjet tek Rusia. Por Kremlini nuk dëshiron të krijojë pritshmëri,” thotë analistja Maria Lipman.

Premtimet e zotit Trump për të rigjallëruar marrëdhëniet SHBA-Rusi nuk u bënë asnjëherë plotësisht realitet.

Tentativat e hershme për dialog, thonë zyrtarët e Kremlinit, u dëmtuan nga hetimet federale për ndërhyrje ruse në zgjedhjet e 2016-ës.

Uashingtoni zyrtar doli me përfundimin se Rusia ishte përpjekur ta zhvendoste garën në favor të zotit Trump. Si Presidenti Trump, ashtu edhe Kremlini i hedhin poshtë këto përfundime.

Por një seri sanksionesh kundër Rusisë lidhur me ndërhyrjet në zgjedhjet e 2016-ës dhe tema të tjera kanë shuar iluzionet e Kremlinit se zoti Trump mund të arrijë vetë t’i orientojë marrëdhëniet, thonë disa analistë.

“Ata e kuptojnë se megjithëse presidenti amerikan është figurë me shumë influencë në politikë, ai nuk është car,” thotë analisti Vladimir Batyuk.

Si rezultat, rusët janë shumë më indiferentë ndaj garës presidenciale këtë radhë. Vëmendja për garën mes Presidentit Trump dhe rivalit demokrat Joe Biden në rrugë dhe në shtyp ka qenë minimale.

Anketat tregojnë se afro 2/3 e rusëve nuk kanë preferencë për ndonjërin kandidat. Shumë prej tyre shprehin zhgënjim.

Nuk pres më gjë, sepse më parë shpresoja që zoti Trump do t’i ndryshonte gjërat,” thotë një biznesmen.

Sipas anketuesve, shumica e rusëve dinë fare pak për zotin Biden.

Nuk di asgjë për të. Nuk kisha dëgjuar gjë më parë,” thotë një pensioniste.

Presidenti Putin e di kush është zoti Biden, madje e ka kritikuar se për “retorikë anti-ruse” gjatë fushatës.

Shërbimet amerikane të zbulimit paralajmërojnë se Kremlini mund të jetë përsëri duke u përpjekur të përziehet në zgjedhje.

Ndërkohë që zoti Biden kryeson në pjesën më të madhe të anketave, Presidenti Putin këmbëngul se mirëpret bashkëpunimin me këdo që vjen në Shtëpinë e Bardhë.

Kjo frazë diplomatike mund të përfshijë një pohim të fshehtë: pavarësisht nëse Presidenti Trump siguron një mandat të dytë, apo nëse fiton zoti Biden, hija e pakëndshme e ndërhyrjeve në garën e 2016-ës do të vazhdojë të ndjehet në marrëdhëniet SHBA-Rusi për një kohë të gjatë./VOA/

Top Channel