Protesta anti-franceze në disa vende me shumicë myslimane

30/10/2020 17:34

Dhjetëra mijëra myslimanë në Bangladesh, Pakistan, Liban, në territoret Palestineze, dhe vende tjera arabe, protestuan kundër presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili ka mbrojtur të drejtën e publikimit të karikaturave të profetit Muhamed në Francë.

Demonstratat në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, ishin të dhunshme pasi rreth 2,000 njerëz u përpoqën të marshonin drejt Ambasadës Franceze, por ndaj tyre ndërhyri policia, duke përdorur gaz lotsjellës dhe duke rrahur protestuesit me shkopinj.

Turmat e protestuesve, varën fotografinë e Macronit në një mbikalim të autostradës dhe e goditën atë me këpucët e tyre. Disa demonstrues u plagosën në përleshjet me policinë. Në mbrëmje demonstruesit u ulën në një rrugë kryesore për të protestuar ndaj përdorimit të forcës nga autoritetet.

Protestat po ndodhin derisa Franca është ende e tronditur, pasi të enjten, një shtetas tunizian vrau tre persona në bazilikën Notre-Dame të Nicës. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e cilësoi incidentin si “sulm terrorist islamist”.

Sulmuesi u qëllua nga policia dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Dy nga viktimat vdiqën brenda kishës: një grua 60-vjeçare, që iu pre koka, dhe një 55-vjeçar, që iu pre fyti. Një grua tjetër, 44 vjeçe, arriti të ikë në një kafene pranë, pasi u godit disa herë me thikë, por vdiq më vonë.

Macron është zotuar se Franca nuk do të heqë dorë nga “vlerat” dhe gjithashtu u bëri thirrje njerëzve të të gjitha feve të mos “dorëzohen në frymën e përçarjes”.

“Franca u sulmua për shkak të vlerave tona, për shkak të ndjenjës sonë të lirisë, për shkak të aftësisë sonë për të pasur liri të besimit në tokën tonë, sepse nuk i nënshtrohemi asnjë terrori. Më lejoni ta them këtë shumë qartë: kurrë nuk do të dorëzohemi”, ka thënë Macron.

Ky sulm vjen derisa Franca ende po rimëkëmbet nga shoku që ka përjetuar për shkak të një sulmi tjetër, që ka ndodhur më herët gjatë këtij muaji atje.

Mësuesit, Samuel Paty, i është prerë koka në Paris nga një sulmues me origjinë çeçene. Sulmuesi i Payt ka thënë se ka dëshiruar që ta ndëshkojë mësuesin pse u ka treguar nxënësve karikaturat e Profetit Muhamed në një orë mësimore.

Karikaturat – të publikuara vite më parë nga revista satirike franceze, Charlie Hebdo, zyrat editoriale të së cilës janë sulmuar më 2015 nga sulmues që kanë lënë të vdekur 12 persona – shihen si blasfemi nga disa myslimanë.

Që nga vrasja e mësuesit, karikaturat janë shfaqur në disa pjesë të Francës, në shenjë solidariteti, derisa Macron, i cili është takuar me komunitetin mysliman në Francë, është zotuar se do ta luftojë “separatizmin islamist”.

Top Channel