(FOTO) Barcelonë/ Protestuesit përplasen me policinë për kufizimet e COVID-19

30/10/2020 22:24

Protestuesit që mohojnë ekzistencën e COVID-19 dhe kundërshtojnë kufizimet për të frenuar përhapjen e pandemisë u përplasën me policinë në Barcelonë të premten.

Rreth 50 protestues hodhën tulla dhe fishekzjarre ndaj policisë dhe vunë flakën në kontejnerët e plehrave në qendër të qytetit të dytë më të madh të Spanjës, njoftoi policia.

Policia i tërhoqi protestuesit me shkopinjtë e tyre por nuk i dhunoi, tha një zëdhënës i Mossos d’Escuadra, policia rajonale Katalanase, shkruan Reuters.

Një person u plagos pasi u godit në kokë nga një tullë. Dy persona u arrestuan.

Para disa ditësh, rreth 700 persona kanë zhvilluar një demonstratë paqësore përmes një prej rrugëve kryesore të qytetit.

Ajo ndjek trazira të ngjashme të shkaktuara nga ata që mohojnë ekzistencën e pandemisë në Bilbao, në Spanjë, të enjten dhe në qytete anembanë Italisë të hënën.

Spanja, një nga vendet më të goditura nga COVID-19, vendosi një gjendje të jashtëzakonshme këtë javë deri në majin e vitit 2021 për të ndaluar rritjen e infeksioneve të koronavirusit.

Ashtu si vendet e tjera evropiane, Spanja ka përdorur masa gjithnjë e më drastike për të frenuar infektimet, edhe pse më pak e rreptë sesa në Gjermani ose Francë.

Gjendja e jashtëzakonshme u jep autoriteteve rajonale fuqinë për të kufizuar lirinë e lëvizjes përmes bllokimeve dhe shtetrrethimit.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel