A po ikën presidenti i SHBA-së?! Ja si përgjigjet autori i librit “Vjen Trump”

30/10/2020 18:03
Analisti Frrok Çupi

Të martën e tre nëntorit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të mbahen zgjedhjet presidenciale.

Presidenti aktual, Donald Trump, do të ketë rival politik Joe Biden. Zgjedhjet, u komentuan në studion e emisionit “Top Talk”, ku i ftuar ishte analisti që ka bërë një libër kushtuar Trump-it, Frrok Çupi.

Analisti e ka shprehur hapur pëlqimin e tij për presidentin e SHBA-ve, madje edhe në librin e shkruar prej tij me titullin “Vjen Trump”, Çupi ka renditur të mirat që i vijnë botës me qeverisjen e Trump-it.

Sipas Çupit, në zgjedhje fitues do të dali Donald Trump. Ai tha se në Amerikë tanimë nuk ka më luftëra, e kjo vjen si rezultat i politikave të ndjekura nga Trump. Ndër të tjera, Çupi tha se “bota nuk mund të përfytyrohet pa Trump”.

“Donald Trump është presidenti më i sulmuar në botë dhe Amerikë pas Jefferson, por është shumë i suksesshëm për Amerikën dhe çështjet botërore. Ai është fenomeni që po fillon një epokë të re në botë, e qeverisjeve të drejtpërdrejta, pa luftëra, pa konflikte. Donald Trump është një udhëheqës i fortë, por nuk dimë ta ndajmë cila është forca, objeksioni për t’i shkuar drejt për drejt rezultatit, vendosmërinë e tij për të dërguar gjërat. Ai ka rezultat. Ne sot kemi një Amerikë e botë më ndryshe. Praktikisht ne sot nuk kemi luftëra, nuk ka një administratë amerikane që të mbajë fjalime nëpër botë. Kemi një situatë botërore që i gjithë qëllimi është tek ekonomia. Trump nuk është në kushte fantastike, por problemi i përçarjeve, Joe Biden është cilësuar si një president i dobët, ai ka mbrapa një barrë të tërë përfaqësimi që ka në kurriz të gjithë të majtët ekstremë, të djathtët ekstremë. Amerika është e përçarë dhe në një luftë. Amerika vetë është një vend, ku ndasitë ideologjike janë të theksuara, ndaj të majtës dhe të djathtës. Tani akti i Trump, e kanë zgjuar, është rritur sinqeriteti. Sot Amerika është në përballje, por jo në konflikt. Me siguri Trump do të fitojë. Nuk përfytyrohet më bota pa Donald Trump”, tha Çupi.

Top Channel