Terror në kishë, 3 viktima/ Sulmi me thikë, ushtria në mbrojtje të Francës!

29/10/2020 18:08

Tre persona kanë humbur jetën në një sulm me thikë në një kishë në Nicë, në atë që presidenti francez Emmanuel Macron e quajti një sulm terrorist islamik. Ai tha se Franca nuk do të dorëzohet, pasi vizitoi bazilikën e Notre Damit, në qytetin jugor të vendit.

“Nëse ne sulmohemi përsëri është për shkak të vlerave tona, për lirinë tonë, për mundësinë e besimit të lirë në tokën tonë dhe sepse nuk dorëzohemi përballë terrorit.  E përsëris me forcë edhe një herë sot; ne nuk do të dorëzohemi”, tha Macron.

Macron tha se kishte vendosur të mobilizonte më shumë ushtarë në orët në vijim, duke e çuar numrin nga 3 mijë që janë aktualisht, në 7 mijë, në mbrojtje të kishave dhe shkollave në vend. Të paktën tre persona humbën jetën në sulmin e Nisës dhe disa të tjerë janë plagosur. Sipas mediave franceze, autori është një tunizian, i quajtur Brahim, që është ndaluar nga policia dhe është transportuar në spital.

Hetuesve u ka thënë se ka vepruar i vetëm. Sipas autoriteteve, ai ka zbarkuar pak kohë më parë në ishullin italian të Lampeduzës. Viktimat, janë dy gra dhe një burrë. Dy prej tyre janë vrarë brenda katedrales, ndërsa viktima tjetër, një grua ka mundur të dalë nga kisha, por ka humbur jetën më pas për shkak të plagës. Autori i sulmit ndërkohë, sipas dëshmitarëve, thërriste pa pushim Allahu Akbar. Ky sulm i fundit vjen pas atij në paris, më herët këtë muaj, ku u vra një mësues pasi kishte shfaqur në klasë karikaturat e profetit Muhamed, në një orë mësimi për lirinë e fjalës.

Vrasja ngriti tensionet në francë dhe përpjekjet e qeverisë për të goditur islamin radikal zemëruan Turqinë dhe vende të tjera. Situata u përkeqësua pasi një karikaturë e Erdogan-it u shfaq në reviztën satirike Charlie Hebdo. Sidoqoftë, Turqia reagoi shpejt të enjten duke dënuar me forcë sulmin në Nicë.

“Asnjë motiv nuk mund të justifikojë vrasjen dhe as dhunën. Kush organizon një sulm të tillë në një vend të shenjtë kulti nuk ka vlera fetare, humanitare e morale”, tha ministri i Jashtëm turk.

Top Channel