Sulmuesi i mirënjohur brazilian Alexander Pato ka mbetur pa ekip, sepse klubi ku bënte pjesë sezonin e fundit, Sao Paolo vendosi të mos i rinovojë kontratën, ndonëse 31-vjeçari shënoi 5 gola në 20 ndeshjet e luajtura.

Megjithatë Pato vijon të stërvitet i vetëm në Brazil për të qëndruar në formë dhe shumë shpejt mund të rikthehet në kampionatin italian, ku ka kaluar 6 sezone mjaft të suksesshme me fanellën e Milanit.

Mediat spanjolle raportojnë se agjentët e sulmuesit kanë arritur marrëveshjen me Genoan për të nënshkruar deri në fund të sezonit, ndërsa këtë javë pritet që Pato të mbërrijë në Itali dhe të kryejë vizitat mjekësore.

Më herët për Paton shfaqën interes edhe klube si Spezia e Monza në Serinë B, por që të dyja u tërhoqën, pasi e kishin të pamundur të kënaqnin pretendimet e sulmuesit brazilian.

Top Channel