OBSH: Izolimet shmangen nëse të gjithë bëjnë ç’ka u takon

29/10/2020 02:32

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se vendosja e ndalim-qarkullimeve për shkak të koronavirusit mund të shmangej, nëse njerëzit do të kontribuonin për të frenuar përhapjen e virusit.

Ndërkohë masat e fundit kufizuese kanë shkaktuar zemërim në Itali dhe përçarje mes popullatës në Spanjë. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se jo vetëm qeveritë kanë përgjegjësinë të ndalojnë përhapjen e koronavirusit, por edhe njerëzit e bizneset.

“Ne mund t’i shmangim bllokimet në nivel kombëtar, mund t’i shmangim kufizimit masive nëse gjithkush luan rolin e vet. Vendimet që marrim çdo ditë për të shmangur hapësirat e mbushura me njerëz apo mjediset e mbyllura për periudha të gjata kohore, vendimet që marrim lidhur me shmangien e grumbullimeve, janë sakrifica që të gjithë duhet t’i bëjmë”- thotë Maria Van Kerkhove, drejtuese teknike e OBSH-së mbi çështje që lidhen me COVID-19.

Nga totali i rasteve me COVID-19 të raportuara javën e kaluar, organizata thotë se 46 për qind e tyre janë identifikuar në Evropë. “Nuk ka dyshim që Evropa është aktualisht epiqendër e sëmundjes.

Ka shumë lëvizje dhe për këtë arsye mund të kërkojë mbyllje e kufizime, si dhe urdhra për qëndrimin në shtëpi në mënyrë që ta shuajmë këtë fazë të nxehtë të pandemisë”- thotë Dr. Michael Ryan, shef i emergjencave në OBSH. Por disa nuk janë të kënaqur me rikthimin tek masat bllokuese.

Top Channel