Në Bruksel u mbajt të enjten një raund i ri i takimesh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me pjesëmarrjen e shefave të delegacioneve.

Qeveria e Kosovës në një deklaratë të lëshuar pas takimit, tha se temë e diskutimit ishte zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve.

“Sot është biseduar ekskluzivisht për pensionet dhe kadastrin. Pavarësisht diskutimit të gjatë për këto tema, ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve”, thuhet në deklaratë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i cili po merr pjesë në këto takime në emër të palës serbe, u tha mediave në Bruksel se gjatë takimit ata ngritën çështjen e formimit të Asociacioni të Komunave me shumicë serbe, dhe këmbëngulën në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, që sipas tij, “është e nevojshme për vazhdimin e dialogut, por edhe për ndërtimin e besimit shumë të nevojshëm midis të dy palëve”.

“Pa formimin e Asociacionit, ne nuk mund të përparojmë në dialog. Diçka që mund të quhet OJQ, nuk na duhet, na duhet një institucion serioz, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive”, tha Petkoviç.

Delegacionin e Kosovës e përfaqësoi Skender Hyseni, koordinator për dialog.

Si edhe në takimet e mëparshme, edhe kësaj radhe palët patën së pari takime bilaterale me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe më pas takime të përbashkëta ndërmjet dy palëve. Takimi i së enjtes vjen më shumë se një muaj pas takimit të fundit. Ai duhej të mbahej në shtator por u shty për shkak të pandemisë, por edhe pengesave të paraqitura rreth temave në dialog, për të cilat palët nuk ishin dakord palët. Takimi i radhës, do të caktohet në varësi të agjendës së BE-së.

 

Top Channel