Ish ministri i Jashteë grek në kabinetin Tsipras, Georgios Katrougkalos ,tashmë përgjegjës për politikën e Jashtme të partisë Syriza, është shprehur pas një takimi që ka pasur me ministrin e Jashtëm Nikos Dendias, se partia më e madhe opozitare greke, është dakord që Greqia dhe Shqipëria të shkojnë në Hagë për të zgjidhur çështjen e delimitimit të kufirit të tyre detar.

“ Nga momenti që qeveria vlerëson se nuk mund të përfundonte negocimi, i cili kishte filluar gjatë qeverisjes SYRIZA dhe kishte arritur shumë pranë një marrëveshje, për shkak të problemeve që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe jo me ne, siç më shpjegoi Ministri i Jashtëm, konsiderojmë pozitiv apelimin në Hagë.

Është një mënyrë e pranuar nga e Drejta Ndërkombëtare dhe ne besojmë se çdo mosmarrëveshje e ngjashme, ashtu si dhe mosmarrëveshja jonë me Turqinë, duhet të zgjidhet në bazë të dialogut, kontakteve eksploruese dhe nëse ato dështojnë, me një apelim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë’ – ka thënë Katrougkalos.

Prej mëngjesit kreu i diplomacisë greke Nikos Dhendias, informon të gjithë përfaqësuesit e partive opozitare, përgjegjës për politikën e Jashtme, duke ju referuar nismave diplomatike për përballimin e sjelljes së paligjshme dhe provokuese turke, marrëveshjes me Shqipërinë për apelimin e çështjes së përcaktimit të kufijve detare në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, vizitës se Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe takimit trepalësh te ministrave të Jashtëm të Greqisë, Qipros dhe Izraelit.

Pritet me interes edhe pozicionimi i partive të tjera opozitare për kufirin me Shqipërinë, ndërsa ka diferenca dhe kritika në lidhje me menaxhimin e situatës që kanë krijuar tensionet me Turqinë në detin Egje dhe Mesdheun Lindor.

Aleksandër Marku

Top Channel