Serbët duan ministrinë e Brendshme në Mal të Zi, Abazoviç: Jo baste me interesat e vendit

28/10/2020 14:25

Shqiptari Dritan Abazoviç ka siguruar përfundimisht postin e Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi që pritet t’ia delegojë një eksperti të afërt por pa parti, megjithëse nuk dihet nëse do të jetë shqiptar apo malazez.

Qëndrimi i kreut të partisë URA është përsëritur pas presionit të radhës së partive serbe që ta marrin ato. “Ne nuk do të lejojmë asnjë lojë me baste me interesat kombëtare të Malit të Zi” – shkroi Abazoviç në twitter.

Siç bën të ditur gazeta e Malit të Zi Pobjeda, drejtuesit e Frontit Demokratik, një nga partitë më radikale proserbe,  i dërguan një letër kryeministrit Krivokapiç për shpërndarjen e portofoleve.

Marrëveshja e tyre në parim, siç është specifikuar, nënkupton që Demokracia e Re Serbe do të caktojë përfaqësues për Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Planifikimit dhe Ndërtimit Hapësinor.

Kryeministri i mandatuar Zdravko Krivokapiç njoftoi se të gjithë kandidatët për ministra në qeverinë e re duhet të kalojnë provimin e kompetencave për pozicionin për të cilin ishin propozuar.

Ai tha se një pjesë e mirë janë kandidatë teknikë por që kjo nuk përjashton pjesëmarrjen e politikanëve në qeveri nëse ata plotësojnë kompetencën për funksionin e propozuar me biografinë e tyre.

Top Channel