Presidentja e KE-së: COVID-19 po përhapet me shpejtësi të madhe, bashkëpunim mes vendeve të BE

28/10/2020 18:48

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen  është shprehur sot se në të gjithë Evropën po ndërmerren masa të rrepta për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të Covid-19.  

Ajo bëri apel që të shmangen mbledhjet me shumë njerëz dhe vende të populluara pa ajrosje.

Sipas saj, situata është shumë shqetësuese pasi shpejtësia me të cilat po përhapet sëmundja është e madhe, krahasuar me valën e parë gjatë pranverës.

Komisioni Evropian pritet të sugjerojë që 27 vendet anëtare të BE të kenë një bashkëpunim të mëtejshëm në mënyrë që të gjendet një zgjidhje të përbashkët për pandeminë.

 “Ne jemi duke mobilizuar 100 milion euro nga instrumenti i ndihmës emergjente për blerjen e testeve të shpejta, të cilat do t’i shpërndajmë në vendet anëtare. Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve anëtare që të koordinojnë aplikimet për gjurmim me faqen e Koordinimit Evropian”, tha ajo.

Ajo  theksoi që përjashtimi i TVSH-së për blerjet e vaksinave u zgjat për gjashtë muaj të tjerë, ndërsa në të njëjtën kohë të gjitha shtetet e BE duhet të punojnë së bashku për të pasur një sistem të përbashkët, Evropian, për të lehtësuar udhëtimin ajror.

Top Channel