Milani dhe Roma ofruam një mbrëmje emocionuese në përplasjen e fundjavës në Serinë A (3-3), por spektakli i “San Siros” u njollos në njëfarë mënyrë nga vendimet e gjyqtarit kryesor Piero Giacomelli, i ka lënë të pakënaqura të dyja palët.

Në rastin e parë, kuqezinjtë u dëmtuan nga vendimi i tij për të akorduar 11-metërsh për një faull te presupozuar të Bennacer ndaj Pedros, por pamjet treguan të kundërtën, spanjolli kishte goditur këmbën e algjerianit të Milanit.

Edhe Roma kishte pakënaqësitë e saj në lidhje me arbitrimin e gjyqtarit nga Trieste në rastin e akordimit të penalltisë në favor të Milanit, për ndërhyrje të Mancinit ndaj turkut Calhanoglu. Një kontakt thuajse inekzistent, por që për Giacomellin, që ndoshta donte të kompensonte gabimin në rastin e penalltisë së Romës, ishte 11-metërsh.

Sikurse shkruan sot “Gazzetta dello Sport”, 42-vjeçari Giacomelli është pezulluar të paktën dy javë. E pamundur të mendohej se Nivola Rizzoli nuk do të merrte masa nga këtij gjyqtari, pas reagimeve të shumta si në stadium ashtu edhe në rrjetet sociale. Giacomelli do të mund të gjykojë sërish vetëm pas pauzës për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare në nëntor. Sigurisht për ta rinisur nga Seria B e për t’u kthyer gradualisht në elitë.

Përveç Giacomellit është pezulluar edhe Luigi Nasca, arbitër i VAR-it në Milan-Roma, pasi nuk e ka sinjalizuar kolegun e tij në fushën e blertë për gabimet që kishte bërë, ndryshe nga ç’e parashikon protokolli.

Top Channel