Pfizer: Rezultatet e vaksinës antiCOVID-19 nuk janë ende gati

28/10/2020 08:01

Drejtori ekzekutiv i “Pfizer”, Albert Bourla, i cili planifikon të kërkojë autorizim për një vaksinë antiCOVID-19 deri në fund të nëntorit, në SHBA, bëri thirrje sot për durim pasi tregoi se rezultatet e pritura këtë javë nuk ishin ende gati.

Bourla njoftoi në mes të tetorit se priste prova të efikasitetit në vaksinën e zhvilluar nga kompania e tij, në partneritet me kompaninë gjermane “BioNTech”, deri në fund të muajit, pas analizës së të dhënave të para nga prova klinike, raporton ATSh.

“Le të tregojmë tërë durimin e nevojshëm për këtë gjë kaq të rëndësishme për shëndetin publik dhe ekonominë globale”, tha ai.

“Gjithsesi, nuk do të jetë një vaksinë Republikane ose një vaksinë Demokratike, do të jetë një vaksinë për qytetarët e të gjithë botës”, theksoi Bourla.

Ai tha në një konferencë sot se do t’i kishte këto rezultate së shpejti dhe se do t’i ndante me publikun e gjerë.

Grupi farmaceutik “Pfizer” ende planifikon të kërkojë autorizimin e urgjencës nga Agjencia Amerikane e Ilaçeve, FDA, gjatë javës së tretë të nëntorit.

Top Channel