Kritika drejtorit ekzekutiv të USAGM-it për heqjen e masave mbrojtëse nga ndërhyrjet politike

28/10/2020 15:58

Ligjvënës republikanë dhe demokratë kritikuan ashpër kreun e Agjensisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM) për shfuqizimin e një rregulloreje, që synonte të mbronte nga ndërhyrja editoriale Zërin e Amerikës dhe rrjetet e tjera të financuara nga Shtetet e Bashkuara.

Në një deklaratë në faqen e internetit të USAGM-it, të dërguar me email stafit në orët e vona të së hënës, Drejtori Ekzekutiv Michael Pack tha se po përdorte pushtetin e tij si shef ekzekutiv për të tërhequr rregulloren, që mbron gazetarët nga ndërhyrjet politike, pasi ishte e dëmshme për interesat e agjensisë dhe interesat kombëtare.

Rregullorja u miratua në qershor nga drejtuesit e mëparshëm të USAGM-it, ditë përpara se zoti Pack të konfirmohej nga Senati si Drejtor Ekzekutiv. Rregullorja synonte të konsolidonte dhe qartësonte mbrojtjet ligjore që Kongresi kishte miratuar më parë, siç janë ato të përfshira në Ligjin për Transmetimet Ndërkombëtare të vitit 1994. Vendimi i zotit Pack nuk ndikon tek statuti mbrojtës i ligjit të vitit 1994.

Ky ligj dhe reformat që pasuan ishin projektuar për të mbrojtur gazetarët nga ndërhyrjet që mund të dëmtonin besueshmërinë e tyre dhe duke e forcuar ndërkohë lirinë e tyre për të raportuar rreth Shteteve të Bashkuara, politikave dhe kulturës së saj nga një perspektivë me shtrirje të plotë.

Por, në njoftimin prej 33-faqesh që shfuqizon rregulloren, zoti Pack e përshkruajti atë si një keqinterpretim jo-kushtetues dhe jo-funksional që do të dëmtonte transmetimet e qeverisë amerikane dhe do ta pengonte atë vetë ta menaxhonte me efikasitet dhe t’i ofronte “mbikqyrje editoriale” agjensisë.

Një organizatë e re

Arsyetimi tjetër i zotit Pack thotë se USAGM dallon nga organizatat e tjera të lajmeve, me misionin special “për t’i shërbyer interesave të Shteteve të Bashkuara nëpërmjet transmetimit jashtë vendit të lajmeve të sponsorizuara nga qeveria”.

“Për shkak të këtij misioni special, USAGM dhe rrjetet e tij nuk funksionojnë si agjensitë tradicionale të lajmeve apo ato mediatike dhe nuk u projektuan si të tilla”, thuhet në njoftim.

“Ato u konceptuan me qëllimin dhe fokusin tek marrëdhëniet me jashtë dhe promovimin e objektivave amerikane – jo thjesht duke prezantuar lajme apo duke u angazhuar në shprehi gazetareske”.

Reagimi nga Kongresi ishte i shpejtë.

Megjithëse drejtuesit e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, që mbikqyr USAGM-in, thanë se veprimi i zoti Pack nuk prek ligjet që përbëjnë bazën e masave mbrojtëse, të cilat mund të ndryshohen vetëm nga Kongresi, anulimi i njëanshëm rrezikon të dëmtojë besueshmërinë e rrjeteve të transmetimit.

“Zoti Pack ka treguar herë pas here se nuk ndjehet i kufizuar nga ligjet”, tha në një deklaratë kryetari demokrat Eliot Engel.

Zoti Engel tha se do t’i “inkurajonte gazetarët e USAGM-it të vazhdojnë punën e tyre të rëndësishme dhe të mos i kushtojnë vëmendje ndërhyrjes së paligjshme të zotit Pack dhe zyrtarëve të tjerë të administratës. Ligji mbetet në anën tuaj”.

Homologu i tij republikan, Ligjvënësi Michael McCaul nga shteti Teksas, i tha Zërit të Amerikës: “Nuk është e qartë përse Drejtori Ekzekutiv Pack është kundër objektivitetit gazetaresk në USAGM dhe rrjetet e saj. Pa këtë, dëmtohet misioni dhe efikasiteti i agjensisë”.

“Fatmirësisht, parashikimi që transmetimet e USAGM-it të jenë objektive dhe në përputhje me standartet më të larta profesionale në gazetarinë e transmetimeve është e përcaktuar në statut”, shtoi ai.

Senatori demokrat Chris Murphy, anëtar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, i tha Zërit të Amerikës se masat mbrojtëse të agjensisë ekzistojnë për të parandaluar ndërhyrjen politike.

“Masat mbrojtëse që u kodifikuan si pjesë e Ligjit për Transmetimet Ndërkombëtare bëjnë dallimin mes rrjeteve të financuara nga USAGM-i dhe propagandës shtetërore që shohim në vende si Rusia dhe Kina. Nuk mund të lejojmë që të emëruarit politikë të presidentit të ndikojnë përmbajtjen gazetareske dhe duhet të sigurohemi që ligji të vazhdojë në anën e gazetarëve”, tha ai.

Zoti Pack u emërua nga Presidenti Donald Trump në postin më të lartë të USAGM-it, përpara largimit vitin e kaluar të John Lansing, i emëruar nga Presidenti Obama. Rregullorja për masat mbrojtëse u miratua nga Drejtori Ekzekutiv në detyrë Grant Turner dhe pati mbështetjen e bordit të mëparshëm të USAGM-it, i cili u shpërbë kur zoti Pack u konfirmua në qershor.

Pas marrjes së detyrës, zoti Pack mënjanoi zotin Turner dhe drejtuesit e tjerë të lartë të USAGM-it, pesë prej të cilëve, përfshi zotin Turner, kanë paraqitur një padi ndaj tij dhe agjensisë për, ndër të tjera, “dobësim sistematik të masave mbrojtëse (të agjensisë)”.

USAGM nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për komente. Më herët këtë muaj, zoti Pack tha se padia ishte “pa merita” dhe se të gjitha vendimet dhe veprimet e tij dhe ekipit të tij janë “korrekte dhe të ligjshme”.

USAGM, me një buxhet mbi 800 milionë dollarë në vit, përfshin pesë rrjete: Zërin e Amerikës, Radion Evropa e Lirë/Radio Liria, Radion Azia e Lirë, Rrjetin e Transmetimeve në Lindjen e Mesme, dhe Zyrën e Transmetimeve në Kubë. Audienca e tyre e përbashkët arrin në 350 milionë njerëz në javë, nëpërmjet radios, televizionit dhe informimit në internet.

Të martën, drejtori në detyrë i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj, i dërgoi stafit një deklaratë me email ku thuhet se anulimi i masave mbrojtëse e rikthen Zërin e Amerikës tek mbrojtjet statutore që gëzonte përpara mbërritjes së zotit Pack, të cilat nuk u lejojnë “zyrtarëve të qeverisë të ndërhyjnë apo ndikojnë tek materialet që përgatit Zëri i Amerikës”.

Ai vuri në dukje se pavarësia gazetareske mbetet në fuqi bazuar në Ligjin e Transmetimeve të vitit 1994 dhe Ligjin buxhetor për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare të vitit fiskal 2017.

Fuqi të reja ekzekutive

Në njoftimin e tij shfuqizues, zoti Pack argumenton se për shkak se rrjetet e lajmeve të agjensisë kanë detyrimin ligjor të “jenë në përputhje me objektivat e gjera të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara”, rregullorja për masat mbrojtëse krijonte një konflikt të pajustifikueshëm.

Në fund të fundit, thuhet në njoftim, ka momente kur presidenti, apo të emëruarit prej tij, mund të duan heqjen e një lajmi ku p.sh. mund të jepet informacion i klasifikuar. “Duhet të ketë aftësi të qarta për të vepruar kështu dhe për t’u siguruar se vendimi do të zbatohet nga organizata”, tha ai.

Ka patur periudha në të kaluarën kur Shtëpia e Bardhë i ka bërë presion Zërit të Amerikës për mbulimin mediatik, por Sanford Ungar, ish-drejtor i Zërit të Amerikës dhe tashmë drejtor i projektit për fjalën e lirë në Universitetin Georgetown, tha se nëse presidentit i jepet fuqia të çensurojë lajmet, kjo do të ishte një “katastrofë”.

“Asnjë president i Shteteve të Bashkuara nuk duhet të jetë në gjendje të veprojë kështu, jo vetëm ai i tanishmi”, tha zoti Ungar.

Ekspertët e mediave dhe grupet e të drejtave, përfshirë Komitetin e Reporterëve për Lirinë e Shtypit (RCFP) dhe Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, thanë se ky vendim mund të dëmtojë besueshmërinë e Zërit të Amerikës.

“Masat mbrojtëse editoriale që mbrojnë këto media nga presioni politik janë në statut, dhe gazetarët që punojnë në këto rrjete transmetimi mbrohen nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës”, thotë Gabe Rottman, drejtor i teknologjisë dhe lirisë së shtypit në komitetin e reporterëve.

“Suksesi i tyre si një burim i besueshëm lajmesh për miliona njerëz në mbarë botën bazohet tek pavarësia e tyre editoriale nga ndërhyrja politike, ndërhyrje e cila vazhdon të jetë e paligjshme dhe jokushtetuese”.

RCFP-ja ofron mbështetje ligjore, përfshirë gazetarëve të Zërit të Amerikës për të cilët vizat J-1, që u lejonin të punonin në Shtetet e Bashkuara nuk u rinovuan, pas një ndryshimi politikash nga zoti Pack. Komiteti është një prej 16 grupeve mediatike që nënshkruan një letër ku aludohet për shkelje të rregullave mbrojtëse në USAGM.

Nicholas Cull, profesor i diplomacisë publike në Shkollën “Annenberg” për Komunikimin dhe Gazetarinë të Universitetit të Kalifornisë së Jugut, tha se rregullorja për masat mbrojtëse ishte thjesht një përpjekje për të “kodifikuar atë që ekzistonte praktikë”.

Zoti Cull, autor i vëllimit “Lufta e Ftohtë dhe Agjensia e Informimit e Shteteve të Bashkuara” tha se është “i shokuar” nga veprimi i zotit Pack.

“Masat mbrojtëse janë thelbësore, që transmetimet ndërkombëtare të jenë të besueshme në tregun botëror”, tha zoti Cull.

“BBC-ja ka masa mbrojtëse, Deutsche Welle ka masa mbrojtëse. Radio Pheniani nuk ka masa mbrojtëse. Heqja e këtyre masave mbrojtëse në praktikë, apo nga rregulloret, nuk është një hap drejt BBC-së. Është një hap larg modelit të BBC-së. Është një hap larg besueshmërisë. Asnjë transmetues ndërkombëtar nuk duhet t’i largohet besueshmërisë”, tha ai./ VOA/

Top Channel