Konferenca Ndërkombëtare/ Cakaj: Vazhdojmë pa kursyer asnjë përpjekje për t’u bërë  anëtare e BE-së

28/10/2020 18:22

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Të rinjtë, migracioni dhe sfidat demografike në Ballkanin Perëndimor”, me ftesë të Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Mass.  

Cakaj theksoi se vendi do të vazhdojë pa kursyer asnjë përpjekje për t’u bërë  anëtare e BE-së.

Gjithashtu u diskutua edhe liberalizimi i vizave për Kosovën, për të cilin Cakaj theksoi se është një proces i stërvonuar dhe se sipas tij, Bashkimi Evropian duhet t’ju mundësojë sa më parë lëvizjen e lirë shtetasve të Republikës më të re të Evropës.

Njoftimi i Ministrisë së Jashtme:

Me ftesë të Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Mass, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Të rinjtë, migracioni dhe sfidat demografike në Ballkanin Perëndimor”. Gjatë diskutimit me Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, siç bën me dije Kryediplomati Cakaj në një reagim në Facebook, u theksua përkushtimi i fortë të Shqipërisë për të çuar përpara të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si çelës për t’i siguruar një perspektivë më të ndritshme shoqërisë shqiptare e rinisë në veçanti, pra zhvillimin e një jete në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, në Shqipëri.

“Shqipëria, populli i të cilës mbështet në masë më shumë se 90% procesin e integrimit evropian, natyrisht, do të vazhdojë pa kursyer asnjë përpjekje për t’u bërë një ditë anëtare e familjes së vendeve të Evropës së bashkuar”, theksoi Ministri në detyrë Cakaj në postim.

Një çështje tjetër e diskutuar gjatë konferencës ishte liberalizimi i vizave për Kosovën, për të cilin Cakaj theksoi zëshëm se është një proces i stërvonuar dhe se, sipas tij, Bashkimi Evropian duhet t’ju mundësojë sa më parë lëvizjen e lirë shtetasve të Republikës më të re të Evropës.

Top Channel