Kim Jong-un kërkon ‘taksën e besnikërisë’ nga emigrantët për riparimin e financave

28/10/2020 21:43

Qeveria koreano-veriore ka kërkuar së fundmi që çdo qytetar punonjës emigrant në Kinë të paguajë “fondin e besnikërise” 12,000 huan (1500 euro) për riparimin e ekonomisë së dobët të vendit eremit.

Zhvillimi vjen pasi kufiri mes Kinës e Koresë së Veriut është i mbyllur prej janarit, duke e lënë vendin të ndarë nga partneri kryesor tregtar.

Për këtë arsye qeveria ka urdhëruar çdo punonjës të stacionuar në Kinë të paguajë shumën në fjalë për të pamartuarit dhe dyfishin për të martuarit.

Për ata që refuzojnë të paguajnë taksën e re parashikohet heqja e lejes së punës dhe kthimi i detyruar në Korenë e veriut.

Por paratë nuk duket se do të mblidhen aq kollaj: “Prej mbylljes së kufirit punonjësit e tregtisë tani nuk po fitojnë thuajse asnjë para, kështu që do të kenë shumë vështirësi në plotësimin e detyrimit”, tha një zyrtar kinez i një kompanie tregtare në Dandong, për agjencinë koreano-jugore RFA.

“Ata duhet të paguajnë këtë fond deri në fund të muajit, kështu qe u ka mbetur edhe një javë kohë”, shtoi burimi.

Burimi tha se nëse punonjësit nuk paguajnë atëherë kontributet duhet të jepen nga punëdhënësit e tyre: “Prandaj vetë kompanitë po nxisin punonjësit të paguajnë në mënyrë që ato vetë të mos turpërohen. Në rast të kundërt punonjësit urdhërohen të kthehen menjëherë në Korenë e veriut”.

Të tjera burime thonin se paratë nevojiten për riparime nga dëmet e tajfunëve në gusht e shtator.

“Gjatë kohës së tajfunëve punonjësve tregtarë iu kërkua të jepnin një minimum prej 2,000 huan ($230), por shumë prej tyre dhanë donacionin maksimal të lejuar prej 12,000.”

Burimi thotë se për këtë arsye “qeveria mendoi se njerëzit mund të paguajnë më shumë dhe në kongresin e partisë u caktua minimumi i fondit prej 12,000”.

FOTO GALERI
3/5
Qeveria ka kërkuar 12,000 huan (1500 euro) për riparimin e ekonomisë së dobët të vendit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA