Klubi i futbollit Vllaznia mund të privatizohet shumë shpejt. Bashkia e Shkodrës ka nxjerrë zyrtarisht në shitje klubin dhe të gjithë të interesuarit do të futen në ankandin për të blerë 100% të aksioneve që nisin nga shuma prej 508 miljonë lekë të vjetër.
Aktualisht te Vllaznia po investon Alban Xhaferi, biznesmen i njohur shkodran, që ka në pronësi edhe klubin e basketbollit dhe mbetet për tu parë nëse do ndërhyjë për të blerë klubin e Vllaznisë, që në fakt ka edhe borxhe të konsiderushëm për të shlyer. Nga bashkia mësohet se për Vllazninë ka patur interes edhe nga investitorë të tjerë brenda dhe jashtë vendit. Mbetet për t’u parë se cili do të ofrojë më shumë për aksionet e kuqebluve.
NJOFTIMI I BASHKISË SHKODËR:
Në mbështetje të nenit 113, pika 2 të ligjit nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë“, të ndryshuar; nenit 8, pika 2, nenit 9, pika 1, nënpika 1.1, shkronja „b“, nënpika 1.2, shkronja „a“, nenit 54 germa „e“ të ligjit nr.139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore“, i ndryshuar; ligjit nr.9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar; Ligjit nr. 9874, dt. 14.02.2008 “Per ankandin publik”, i ndryshuar; VKM me nr. 1719, dt. 17.12.2008 “Për miratimin e rregullave të ankandit publik”, i ndryshuar; VKB nr.9, datë 26.08.2011 “Per miratimin e transferimit te Klubit të futbollit “Vllaznia” në shoqëri aksionare”, Bashkia Shkodër ka propozuar projekt vendimin për:
Dhënien e pëlqimit për shpalljen për shitje të 100% të aksioneve që Bashkia Shkodër zotëron si aksionere e vetme në Shoqërinë Klubi i Futbollit “Vllaznia”.
2. Çmimi minimal i shitjes së 100% të kuotave është 50,794,000 (pesëdhjetë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e katër mijë) Lekë.
3. Forma e shitjes së aksioneve që zotërohen nga Bashkia Shkodër në Shoqërinë Klubi i Futbollit “Vllaznia”, të bëhet nëpërmjet proçedurës konkurruese: Procedurë e Hapur Standard e Ankandit, sipas dokumenteve standarde tip të ankandit, bashkëngjitur këtij vendimi.
4. Proçedura e ankandit për shitjen e 100% të aksioneve, që zotëron Bashkia Shkodër, të nisë me vlerën 50,794,000 (pesëdhjetë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e katër mijë) lekë.
Arsyet kryesore për këtë investim:
<a) Interesi për pjesmarrje të investimeve private në futboll është rritur në vitet e fundit me rritjen e të ardhuarve nga të drejtat televizive, reklamat, tifozëria, mediat, trofetë, sponsorizimet.
b) Eksperiencat dominuese tregojnë se investimet në klubet e futbollit, përveç synimit për rritjen e fitimeve dhe kapitaleve të aksionerëve, motivohen edhe qëllimin e përfshirjes sociale dhe kontributeve për komunitetin ku ushtrohet biznesi apo ka interesa të caktuara.
c) Ky investim në sportin e Futbollit është një rast unik në Shqipëri, sepse KF Vllaznia sh.a. i përket një qyteti që njihet si themelues të futbollit në Shqipëri dhe ka një histori suksesi rreth 100 vjeçare,
d) Tregu privat i futbollit është i ri dhe dinamik, ku klubet private po shënojnë rritje në cilësinë dhe treguesit financiarë të futbollit;
e) Federata Shqiptare e Futbollit ka përmirësuar dukshëm standardet dhe rregullat për zhvillimin dhe mbikqyrjen e sportit të futbollit.
f) Janë disa subjekte vendase dhe të huaja që kanë shprehur interesin për pjesëmarrje në investim, në rast të realizimit të procedurave të privatizimit të shoqërisë aksionere, duke u bërë indicie për fillimin e procedurës së shitjes.
g) Propozimi për realizimin e shitjes së shoqërisë tregëtare Klubi i Futbollit “Vllaznia” ka në referencë edhe ndryshimet e fundit ligjore, në ligjin Nr. 105/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 79/2017 “Për Sportin”. Në nenin 8 të këtij ligji janë miratuar ndryshimet në Nenin 22, “Kapitali shtetëror”, ku përcaktohet:
– 1. “Institucionet publike qendrore dhe vendore, që kanë në zotërim aksione të shoqërive tregtare sportive, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji i nxjerrin ato në shitje në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Top Channel