Red Bull bën zgjedhjen/ Hulkenberg në vend të Albon

27/10/2020 19:29

Duket se Red Bull e ka bërë zgjedhjen e tij për të zëvendësuar Alex Albon duke nisur nga viti 2021 dhe bëhet fjalë për Nico Hulkenberg.

Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja holandeze ‘De Telegraaf’  dhe ajo spanjolle AS sipas të cilave, skuderia austriake e sheh gjermanin si alternativën më të mirë nëse Albon do të lërgohet përfundimisht nga Red Bull.

Ky i fundit ka ende mundësi për të ruajtur vendin e tij te skuderia austriake teksa janë edhe 5 gara deri në përfundim të sezonit. Por në këto 5 gara ai duhet të arrijë rezultate shumë të mira, të cilat deri tani kanë munguar. Rezultati më i mirë deri tani i tij është vendi i tretë në Mugello, ndërkohë që në total ka grumbulluar gjysmën e pikëve të shokut të tij të skuadrës, Max Verstappen.

Vetë Christian Horner ka deklaruar se në rast të largimit të Albon, Red Bull do të kërkojë pilotë nga jashtë për Red Bull teksa theksoi se ka shumë elementë të rinj. në këtë pikë skuderia austriake ka përpara kandidaturat e Hulkenberg, por edhe të Checo Perez apo Kevin Magnussen, të gjithë të disponueshëm për 2021.  Nico Hulkenberg në këtë pikë duket se është dukshëm në pole position duke qenë se edhe vetë Max Verstappen ka dhënë miratimin e tij për ardhjen në skuadër të gjermanit në momentin kur drejtuesit e Red Bull i kërkuan opinionin e tij

Nico Hulkenberg, tashmë 33 vjecar, ka qenë pjesë e Formula 1 për 11 sezone. Gjermani ka marrë pjesë në 179 gara dhe ka garuar me skuadra si Williams, Force India dhe Renault. Këtë vit ka marrë pjesë në 3 gara me Racing Point duke zëvendësuar në 2 raste Sergio Perez dhe në 1 rast Lance Stroll.

Top Channel