Manjani kundër Kryemadhit: LSI të mbajë përgjegjësi politike për inceneratorët

27/10/2020 12:21

Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë ‘Rama 1″, Ylli Manjani me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar lidhur me deklaratën e kryetares së LSI Monika Kryemadhi ku u shpreh se  Lefter Koka është përjashtuar nga partia pas firmës që hodhi në ndërtimin e incineratorëve.

Manjani shkruan se pas këtij distancimi, LSI mban përgjegjësi politike, pasi sipas tij LSI kishte në dorë për të ndalur këtë masakër mjedisore.

Manjani ndër të tjera shkruan se partia që drejton Kryemadhi nuk ndali asnjë nga të ligat antieuropiane që po përjetojnë shqiptarët.

Postimi i plotë i Manjanit:

Pavarësisht distancimit të LSI së sotme nga veprimtaria ish Ministrit Koka për çështjen e inceneratorëve, gjykoj se LSI mban përgjegjësi politike.

LSI minimalisht kishte në dorë ta ndalte këtë masakër mjedisore, urbane, buxhetore dhe anti-integrim, por nuk e bëri! Mirë u çmend Lefteri, po të tjerët pse e lejuan që qeveria të vendosë brenda ditës?!

Pse u lejua të shkelej dokumenti strategjik për trajtimin e mbetjeve?!

Pse u lejua shkelja e angazhimeve të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit?! Kjo e fundit për LSI kishte në shumë kuptim se asgjë tjetër.

Siç në fakt nuk ndali, përkundrazi kontribuoi, në shkatërrimin e shtetit me miratimin e ligjeve të reformës në drejtësi pa konsensusin e opozitës.

LSI nuk ndali në fakt asgjë nga këto të liga anti-europë e anti-integrim të modelit Edi Rama, që po përjetojnë sot shqiptarët.

Kur them LSI, fus dhe veten time për aq sa më takon në këtë përgjegjësi. Pavarësisht përpjekjeve të mia reaguese, ne NUK E NDALËM dot të keqen.

Kjo është e vërteta, me të cilën nuk mund të luhet për asnjë arësye mendoj unë. As për të bërë Opozitë.

Nuk është e thënë të jesh peng i të shkuarës, por distancimi nga ajo bëhet më i besueshëm me një ndjesë si fillim dhe, në vijim me një plan rikuperimi.

Politika serioze dhe e përgjegjshme nuk e shet të shkuarën e saj tek personat, por e rivlerëson si aset për të bërë më mirë në të ardhmen.

E vërteta është e hidhur si ilaçi, por i domosdoshëm për t’u pirë. Refuzimi për ta pirë përkeqëson sëmundjen…

=======

P.S. Besoj me këto mendime i shërbej Ramës… 😀😀😀

Top Channel