Pas një vere të tensionuar që nisi me humbjen e thellë 8-2 ndaj Bayernit të Mynihut dhe vijoi me kërkesën e Lionel Messit për t’u larguar, Barcelona vijon të mos gjejë qetësi, pasi vetëm 24 orë para ndeshjes me Juventusin në Ligën e Kampionëve, ka ardhur dorëheqja e Josep Bartomeut.

Ky i fundit ka mbajtur presidencën e klubit katalan prej 7 sezonesh, por në dy vitet e fundit është përballur me dështime si në aspektin sportiv, ashtu edhe atë manaxherial, pasi është akuzuar për skandale të ndryshme.

Së fundi aksionerët ndërmorën një nismë për ta shkarkuar presidentin me referendum dhe mblodhën fimrat e nevojshme, ndërsa votimi ishte planifikuar për t’u mbajtur këtë fundjavë, por Bartomeu vendosi të largohet vetë.

Bartomeu kërkoi që referendumi të mos mbahej për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, por pasi mori një përgjigje refuzuese nga autoritetet katalane, vendosi të japë dorëheqjen për të shmangur shkarkimin në fundjavë.

Bashkë me presidentin Bartomeu kanë firmosur dorëheqjen edhe një sërë drejtuesish të tjerë të lartë, që ishin përzgjedhur nga ai për të menaxhuar klubin katalan gjatë këtyre viteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA