Kampionët në fuqi të Ligës së Kampionëve, gjermanët e Bayernit të Mynihut morën fitoren e dytë në fazën e grupeve, pasi triumfuan me rezultatin 1-2 në transfertën ruse ndaj Lokomotivës së Moskës.
Gjermanët e Hansi Flick shënuan nga një gol për çdo pjesë, me Leon Goretzkën dhe Joshua Kimmich, ndërsa rusët barazuan përkohësisht rezultatin me anë të mesfushorit Miranchuk. Me këtë fitore Bayerni ngjitet në krye të grupit me 6 pikë dhe “vrapon” i sigurt drejt kualifikimit.
Ngec sërish Inter, që këtë herë nuk shkoi përtej barazimit pa gola në transfertën ukrainase ndaj Shakhtar Donetsk. Në muajin gusht zikaltrit patën triumfuar ndaj Shakhtarit me rezultatin e thellë 5-0 në gjysmëfinalet e Europa Leagues, por mbrëmjen e sotme fati nuk ishte në anën e milanezëve.
Nicolo Barella dhe Romelu Lukaku u ndalën dy herë nga traversa, ndërsa Lautaro Martinez shpërdoroi një rast të artë, pasi me portën e boshatisur gjuajti jashtë. Nuk munguan as pretendimet për një penallti në favor të zikaltërve, por nuk ndau të njëjtin mendim arbitri bullgar i ndeshjes.
Me barazimin e sotëm, Shakhtar Donetsk mbetet në krye të grupit me 4 pikë, ndërsa Interi shkon në kuotën e dy pikëve dhe kompromenton kualifikimin, duke qenë se dy ndeshjet e radhës do t’i luajë përballë Realit të Madridit.
Top Channel