Pasi ka lëshuar paralajmërime ditë më parë për një zbulim të ri emocionues mbi hënën, agjencia hapësinore amerikane ka publikuar provat përfundimtare të ujit në satelitin tonë të vetëm natyral.

Dokumentimi i pangatërrueshëm i ujit molekular rrit shpresat e NASA-s për ngritjen e një baze në hënë. Qëllimi është që ajo bazë të mbështetet nga burimet natyrale të vetë Hënës.

Zbulimet janë publikuar në revistën Nature Astronomy. Ndryshe nga vrojtimet e mëparshme ku në pjesë të mbuluara nga hijet të kratereve të hënës ishte pikasur ujë, shkencëtarët tani kanë pikasur molekulat e ujit në rajonet e ndricuara nga dielli të sipërfaqes së hënës.

Agjencia amerikane e hapësirës ka thënë se do të dërgojë gruan e parë dhe njeriun e radhës në sipërfaqen e hënës në 2024 për tu përgatitur për hapin tjetër gjigand, eksplorimin e marsit nga 2030-ta. Ekspertët thonë se uji në hënë hedh bazat për një ekonomi të ardhshme hënore.

Është shumë më lirë të prodhohet karburant për raketat hapësinore në hënë se sa të dërgohet ai nga toka. Ndaj kur eksploruesit e ardhshëm hënorë të duan të kthehen në tokë ose të udhëtojnë në destinacione të tjera, ata mund ta kthejnë ujin në hidrogjen dhe oksigjen, çka zakonisht përdoret për të furnizuar mjetet hapësinore. Furnizimi në hënë mund të ulë kështu koston e udhëtimeve hapësinore dhe ta bëjë një bazë në hënë, më të përballueshme.

Top Channel