Lazio hedh pas krahëve momentin negativ në kampionat me një fitore 2-1 përballë Bolognas në “Olimpico”. Te bardhekaltrit u aktivizua si zëvendësues Vedat Muriqi, pjesëmarrës në golin e dytë të sfidës, të shënuar nga Ciro Immobile, ndërsa Strakosha i kishte lënë vendin në portë veteranit Reina. Në stol ishte portieri tjetër shqiptar, 20-vjeçari Marco Alia.
Pas vetëm 13 minutave lojë, Svanberg mposhti Reinën me një goditje të bukur nga distanca, por goli u anulua për ndërhyrje të gabuar në mesfushë, në momentin që futbollisti i Bolognas i rrëmbeu topin kundërshtarit.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa 9 minuta pas startit të së dytës, Luis Alberto përparoi me zgjuarsi drejt zonës kundërshtare duke shënuar një gol të bukur me një goditje të fortë, të pakapshme nga Skorupski.
12 minuta pasi Vedat Muriqi u hodh në fushë në vend të Correas (64’), Immobile shënoi golin e dytë, pasi u asistua nga Fares, në vazhdim të një aksioni ku Muriqi tentoi goditjen me kokë drejt portës.
Në minutën e parë shtesë, De Silvestri e gjeti të përgjumur mbrojtjen e Lazios, duke shkurtuar diferencën në 2-1, por asgjë më shumë, pasi nuk pati më kohë për Bolognan për të shmangur humbjen.
Top Channel