Irlanda respektoi parashikimet duke mundur thellë Italinë në takimin e prapambetur të Kupës së 6 Kombeve në regbi. Jo vetëm kaq, skuadra e drejtuar nga trajneri Andy Farrell siguroi edhe pikën e bonusit për të kërcyer drejt e në vendin e parë, në klasifikimin e përgjithshëm.

Edicioni i 21-të i Kupës së 6 Kombeve do të kujtohet gjatë, jo më shumë për ndeshjet apo rezultatet që prodhuan ekipet në fushën e lojës, se sa për ndërprerjen e gjatë dhe kaosin që shkaktoi ndërprerja sa e papritur po aq edhe e pazakontë, për shkak të frikës së përhapjes së pandemisë së Koronavirusit.

Takimi i fundit në 6 Nations ishte luajtur më datën 8 mars, në Edinburgh në stadiumin “Murrayfield”, ku Franca pësoi humbjen e parë të këtij edicioni me Skocinë, me rezultatin 28-17. Ndeshja e vetme që nuk u luajt në fillimin e muajit mars, nga raundi i katërt ishte pra pikërisht sfida Irlandë – Itali.

Takimi u mbajt në stadiumin “Aviva” të Dublinit, pa praninë e spektatorëve dhe në fakt pa u mbushur mirë me frymë miqtë kaluan në epërsi me anë të Paolo Garbisit, që shënoi me një goditje dënimi, pas ndëshkimit me kartonin e verdhë që i dha kryesori anglez Matthew Carley numrit 9 të jeshilëve Conor Murray. E pra 31-vjeçari nga Limerick u shtrëngua për të qëndruar në stol për 10’, megjithatë në fushë inferioriteti numerik nuk u ndje aspak. Përkundrazi vendasit përmbysën gjithçka pa u mbushur as çerek ore lojë.

C.J. Stander kaloi me forcë vijën fundore, ndërsa më pas Jonathan Sexton konvertoi saktë dhe thelloi diferencën me një goditje dënimi. Rezultati mbeti i pandryshuar 10-3 për më shumë se çerek ore lojë, gjithsesi Irlanda shënoi edhe dy “try” të tjera me anë të numrit 11 Hugo Keenan, për të shkuar në interval me shifrat 24-3.

Të kaltërit luajtën fort në fillimin e pjesës së dytë dhe u mbajtën mirë, falë edhe katër zëvendësimeve që kreu trajneri nga Afrika e Jugut Franco Smith, në 46’ për të freskuar ekipin. Edoardo Padovani kuptoi pasimin e irlandezëve, duke shënuar në mënyrë të beftë, çerek ore nga fillimi i fraksionit të dytë dhe pas konvertimit rezultati u ngushtua në 24-10.

Vendasit u kujtuan se duhet të shënonin edhe një tjetër “try” për të marrë pikën e bonusit dhe u hodhën menjëherë përpara. Pati lavdi fillimisht për Will Connors pas një ore lojë, ndërsa më pas radhën e pati kapitenin Jony Sexton, që kaloi vetë vijën fundore cerek ore para fundit për t’i dhënë qetësinë e duhur ekipit të tij. Më pas ashtu siç edhe pritej Italia ra ndjeshëm në aspektin fizik dhe vendasit thelluan diferencën me dyshen Bundee Aki – Dave Heffernan.

Në kohën shtesë italianët u ngushëlluan të paktën me realizimin spektakolar të Paolo Garbisi-t, gjithsesi në fund irlandezët fituan krejt takimin me rezultatin e thellë 50-17. Kapiteni Jony Sexton gaboi vetëm një herë në konvertim, duke shënuar 6 nga 7 mundësitë në dispozicion, ndërsa lojtari më i mirë i takimit u shpall numri 8 i jeshilëve C.J. Stander. Me këtë fitore të plotë me gjithë pikën e bonusit Irlanda mori kryesimin me 14 pikë, ndërkohë me 1 pikë më pak në tabelën e renditjes ndjekin Anglia dhe Franca.

Edicioni i 21 i Kupës së 6 Kombeve do të mbyllet fundjavën e ardhshme, kur do të luhen edhe tri ndeshjet e javës së pestë: Uells – Skoci, Itali – Angli dhe Francë – Irlandë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA