Debati për nënshtetësitë/ Bollino:Presidenti po tradhton Kushtetutën dhe rolin e tij! Meta: Fake news i ndyrë!

25/10/2020 13:32
Carlo Bollino dhe ilir Meta

Presidenti i vendit, Ilir Meta sulmoi sot botuesin dhe gazetarin Carlo Bollino e gazetarin Adriatik Doçi në vijim të hetimit që shqiptarja.com po bën prej disa ditësh mbi skandalin e 419 nënshtetësive që presidenti ka dhënë duke shkelur kriteret e sigurisë të kërkuara nga ligji dhe duke konsideruar “figura me interes kombëtar” edhe qytetarë të zakonshëm, disa me precedent penalë apo nën hetim për krime të ndryshme. 

Pasi kishte sulmuar më parë gazetarin Mero Baze që u mor me të njëjtin argument, sonte Meta sulmoi me shpifje Bollinon dhe familjen e tij dhe Adriatik Doçin (autorin e investigimit) duke i drejtuar Bollinos 10 pyetje me të cilat aludon se gazetari dhe familja e tij kanë krijuar shoqëri offshore, ose shkelin ligjet e vendit,  duke e thirrur Bollinon “malavita”, etiketim i kopjuar nga ish-presidenti Sali Berisha, i cili po e përdor prej kohësh për të kërcënuar publikisht Bollinon.

Vetëm në Shqipëri ndodh që politikanët e korruptuar bëjnë pyetje provokuese dhe akuzojnë gazetarët. Në gjithë botën perëndimore ndodh e kundërta’‘ , shkruan Bollino në një postim të shkurtër në Facebook.

Bollino thekson se Meta, si garant i Kushtetutës duhet të garantojë mes shumë lirive të tjera edhe lirinë e shtypit në vend, por tashmë është fare e qartë se e vetmja liri që Meta synon të garantojë është ajo e qehajajve të tij mediatikë që i përdor si kamikaze kundër cilitdo që guxon ta kritikojë, duke kopjuar edhe për këtë “debulesën” e tij Sali Berisha.

Duke sulmuar gazetarët Meta tradhton rolin e tij, mandatin e tij dhe vetë Kushtetutën të cilën është betuar se do ta respektojë”, komenton Bollino.

Meta mendon se do të ndalojmë investigimin me shantazhe qesharake dhe sulme nën brez, duke marrë copy paste montazhe nga interneti” shkruan gazetari i shqiptarja.com Adriatik Doçi në Facebook.

Edhe drejtori i komunikimit i kryeministrit, Endri Fuga, reagoi pas sulmit të fundit të Metës: ”Kur Presidenti i Republikes sulmon familjen e një botuesi & gazetari pas disa shkrimeve kritike, atëherë është e qarte se investigimi qenka i vërtetë. Mund te flasësh sa te duash për lirinë e shtypit, por sulmet e ulëta si sot tregojnë sa e respekton ne te vërtetë fjalën e lire!” tha Fuga në Twitter.

Gjithashtu ka reaguar edhe zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi në Facebook, ku sipas tij prej disa ditësh ka nisur një fushatë e pështirë dhe e ndyrë shpifjesh kundër Presidentit të Republikës. Blushi thekson se nuk ka asnjë dokument që Këshilli Europian ka shprehur shqetësim për shtetësitë e dhëna nga Presidenti Meta.

Top Channel