Shtetrrethim në Francë, izolohen 46 milionë persona

24/10/2020 01:22

Qeveria franceze po vendos shtet-rrethimin në dy të tretat e vendit, nga mbrëmja e së premtes për gjashtë javë paskësaj, 46 milionë njerëz do të preken nga ora policore.

Ekzekutivi u detyrua te merrte masën ekstreme pas rekordit të 41,622 infeksioneve të reja në ditë. Totali i të infektuarve nga epidemia në këtë vend, kapërceu një milion.

Një prag të tillë në Europë e kanë arritur gjithashtu deri tani Spanja e Rusia. Një javë më parë, ora policore u vendos për Parisin dhe tetë qytete të tjera. Tani 38 zona të reja do të jenë në shtetrrethim nga ora 21:00 deri në 06:00. Pjesa më e madhe e kontinentit të vjetër po përjeton shifra në rritjen të rasteve të sëmundjes.

Sllovakia do të vendosë një bllokim të pjesshëm për një javë duke nisur nga e shtuna; banorëve do t`u lejohen daljet vetëm për udhëtime pune, pazar dhe shkollat për fëmijët e vegjël. Bllokime të reja kanë hyrë në fuqi në Republikën Çeke e Irlandë.

Norma të larta infektimi ka edhe në Belgjikë, duke vënë nën një trysni të madhe shumë spitale. Në Lazio e Campania të Italisë gjithashtu rikthehet ndalimi i lëvizjes gjatë natës, vetëm një ditë pasi e njëjta masë hyri në fuqi në Lombardi.

Top Channel