SHBA, rekord i ri në infektimet ditore me koronavirus

24/10/2020 16:44

Shtetet e Bashkuara kanë shënuar një rekord të ri ditor nga numri i rasteve të reja me koronavirus, duke rritur shqetësimin për një përkeqësim të pandemisë me afrimin e stinës së ftohtë.

Sipas gazetës The New York Times, më shumë se 82,000 raste u regjistruan në Shtetet e Bashkuara deri të premten në mbrëmje, duke kapërcyer me më shumë se 6,000 raste rekordin e shënuar më 16 korrik.

Gazeta raportoi gjithashtu se rreth 41,000 amerikanë po kurohen në spitale, një shifër që përfaqëson një rritje prej 41% të shtrimeve në spitale nga një muaj më parë.

Rajonet malore në perëndim dhe shtetet qendrore në veçanti po përjetojnë përkeqësim të ndjeshëm të situatës.

Sipas një analize të re nga Instituti i Statistikave Shëndetësore të Universitetit të Uashingtonit, shifrat e viktimave amerikane deri në shkurt mund të arrijë në mbi 500,000 vetë, nëse amerikanët nuk mbajnë maska. Nëse 95% e amerikanëve vënë maska, mund të shpëtohen 130,000 jetë, thotë instituti.

Ndërkaq, agjencia e Bashkimit Evropian për kontrollin e sëmundjeve mbështeti paralajmërimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë lidhur me rritjen e rasteve me COVID-19 në Evropë. OBSH paralajmëron se infektimet mund të shumëfishohen.

Drejtoresha e agjencisë evropiane për kontrollin e sëmundjeve Andrea Ammon tha se Evropa përballet me një kërcënim serioz ndaj shëndetit publik dhe me një “situate shumë shqetësuese epidemiologjike”.

Të gjitha vendet e BE-së përveç Qipros, Estonisë, Finlandës dhe Greqisë janë në kategorinë “tepër të rrezikuar”, thotë agjencia.

Në Gjermani, numri i viktimave ka shkuar në mbi 10,000 vetë, ndërsa numri i infektimeve ka arritur në mbi 418,000.

Rusia raportoi 16,521 raste të reja me koronavirus sot, ndërsa dje shënoi shifrën rekord prej 17,300 infeksionesh të reja me koronavirus brenda një dite.

Shmangia e izolimeve

Banorët në një numër vendesh evropiane, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Italinë, Britaninë dhe Sllovakinë po ndeshen me kufizime të reja në aktivitetin e përditshëm për të ulur ndërveprimet fizike.

Autoritetet po përpiqen të gjejnë mënyra për të ndalur përhapjen, mundësisht pa imponuar mbyllje të përgjithshme siç ndodhi në pranverë, gjë që rezultoi në goditje të fortë ekonomike.

Franca kapërceu 1 milionë raste të kofirmuara me koronavirus dje, pasi regjistroi një shifër rekord prej më shumë se 42,000 rastesh të reja brenda një dite.

Sipas një eksperti shëndetësor që po këshillon qeverinë franceze, virusi po përhapet tani në popullatë më me shpejtësi se në pranverë.

Protesta kundër masave kufizuese

Qindra protestues në Napoli u mblodhën mbrëmë për të protestuar kundër masave të reja izoluese.

Polonia njoftoi se i gjithë vendi do të kategorizohet si “zonë e kuqe” duke vënë në zbatim masa të forta kufizuese që nga dita e sotme. Në vend po mbyllen të gjitha baret, restorantet dhe po kufizohen grumbullimet publike, ndërkohë që maskat janë të detyrueshme edhe në mjedise të hapura.

Vende të tjera kanë marrë masa më të buta.

Belgjika, një ndër vendet e goditura më rëndë, ka kufizuar aktivitetet sociale dhe nuk lejon spektatorë në ndeshje sportive. Danimarka tha se nuk lejon më shumë se 10 pjesëmarrës në grumbullime publike dhe ndalon shitjen e alkoolit pas orës 22.

Sipas gazetës New York Times Agjencia e BE-së për kontrollin e sëmundjeve njofton se megjithë shtimin e numrit të të infektuarve, shtrimet në spitale janë në nivel të qëndrueshëm, rreth 50% e nivelit të regjistruar gjatë muajve mars dhe prill.

Ndërsa masat kufizuese janë zgjidhje të momentit, shpresat për një zgjidhje përfundimtare ndaj pandemisë varen nga prodhimi i një vaksine për këtë krizë globale që ka vrarë deri tani mbi 1.1 milionë njerëz në shkallë botërore./VOA/

Top Channel