Vendi që refuzoi izolimin/ Rriten infektimet, por Suedia nuk ndryshon strategji

23/10/2020 14:29

Suedia po sheh një shtim të rasteve të infektimit dhe po ndërmerr masa të shënjestruara, por vendi që u bë i famshëm pasi refuzoi izolimin, vazhdon t’i qëndrojë besnik rrugës së nisur dhe insiston se metodat ndërhyrëse nuk janë mënyra e duhur.

Pas dy muajsh rënie rastesh, në korrik dhe gusht, Suedia ka parë infeksionet që rriten në mënyrë të qëndrueshme që nga mesi i shtatorit. Por ndërsa shumë vende evropiane po ndërmarrin sërish masa drastike, si izolime të pjesshme dhe ndalime qarkullimi për të ndalur përhapjen e virusit, Suedia, që ka regjistruar 5930 viktima të Covid-it, një nga shifrat më të larta për frymë në Evropë, po adapton strategjinë e saj të butë me disa prekje të shënjestruara.

Këtë javë, qeveria njoftoi udhëzime strikte lokale për Uppsala-n, një qytezë universitare në veri të Stokholmit që ka parë një rritje rastesh që kur studentët u kthyen në vjeshtë. Mes të tjerash, banorët janë këshilluar të evitojnë transportin publik dhe kontaktet personale me njerëz jashtë shtëpive të tyre deri në 3 nëntor. Të enjten ndërkohë u morën masa kufizuese për klubet e natës, me kryeministrin që paralajmëroi suedezët se “festa ka mbaruar tani në klube nate dhe se kështu do të vijohet deri sa të jetë e nevojshme”.

Sidoqoftë, Suedia mbetet një nga vendet e vetme në botë që vazhdon të mos rekomandojë mbajtjen e maskës duke argumentuar se ajo siguron një ndjesi të rreme sigurie që dëmton përpjekjet për distancim social.

Top Channel