Reagimi i Shehut pas skualifikimit si kandidat për deputet: Vendimin për mua e merr vetëm kryetari

23/10/2020 19:14

Ish deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook pas lajmeve se është skualifikuar nga lista e kandidatëve për deputet nga Komisioni i Vlerësimit.

Në postimin e tij, Shehu shkruan se vendimin për të kandiduar një deputet e ka tagër vetëm kryetari, kryesia dhe këshilli kombëtar.

Ndërsa sa i përket mendimeve të komisionit që është marrë me përzgjedhjen e kandidatëve, ish deputeti shkruan se nuk komenton mendimet që individë të ndryshëm kanë për të.

Postimi:

“Në përgjigje të disa pyetjeve që po më vijnë në lidhje me hamendësi mediatike për një mendim negativ ndaj meje të një «komisioni», po rendis disa rreshta.

Së pari realisht nuk dua të komentoj mendimet që mund të kenë për mua individë të ndryshëm, qoftë dhe pjesë e ndonjë «komisioni», kjo do të më dukej e tepërt, jo e nevojshme dhe vlerësuese.

Pa pasur ndonjë rëndësi thelbësore të qenit apo jo deputet për veprimtarinë time politike, të cilën e kam realizuar që me 1990 si një nga nismëtarët e PD, si kryetar i saj, ministër, deputet, apo pa pasur asnjë nga këto ofiqe kudo ku kam qenë apo ku jam, dua të nënvizoj se:

1-Vendimin për të kandiduar për deputet mbas votimit të antarësisë së PD e kanë tagër vetëm institucionet statuore të saj, Kryetari, Kryesia e Këshilli Kombëtar, askush tjetër.

2-Ndërsa vlerësimi i vërtetë për mua ishte ai votim, që bëri së fundmi antarësia e PD së Gjirokastrës, e cila ashtu siç më ka mbështetur në këto vite më mbështeti përsëri me votën e saj të qartë. Ky vlerësim është thelbësor jo vetëm për mua, por dhe për PD, veçanërisht kur vjen nga ata njerez të tillë të mençur, që ashtu siç dinë të të «hapin derën», dinë edhe të ta «mbyllin atë», siç edhe ka ndodhur.”

Ne pergjigje te disa pyetjeve qe po me vine ne lidhje me hamendesi mediatike per nje mendim negativ ndaj meje te nje…

Posted by Tritan Shehu on Friday, October 23, 2020

Top Channel