“Meta, president mistrec dhe hileqar”/ Balla nga Elbasani: Reforma zgjedhore sukses! I kemi mundësitë ta kalojmë në Kuvend

23/10/2020 13:36

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar pas kthimit të pritshëm të Kodit zgjedhor nga Presidenti i Republikës Ilir Meta në Kuvend.

Ai tha nga Elbasani se Presidenti mori të gjithë kohën e mundshme për të vonuar procedurat dhe se tani nuk ka asnjë ditë për të humbur.

Balla tha më tej se puna shpjeguese për qytetarët do vijojë dhe Kodi Zgjedhor i ka dhënë më shumë fuqi popullit.

“Lidhur me dekretin e Presidentit Meta për refuzimin e Kodit Zgjedhor, më vjen keq që Presidenti mori të gjithë kohën e mundshme për të vonuar procedurat parlamentare, por s’kemi asnjë ditë për të humbur, Kodi Zgjedhor ka transformuar tërësisht qasjen dhe i ka dhënë më shumë fuqi popullit, jo vetëm për të zgjedhur partinë politike, por edhe kandidatin që dëshiron.

Çdo lloj vonese, e shkaktuar për shkak të një presidenti mistrec dhe hileqar, unë besoj që ne kemi të gjitha mundësitë të vijojmë punën sensibilizuese dhe shpjeguese ndaj qytetarëve. Këtu një rol të rëndësishëm merr KQZ në formulën e re komisioneri, enti apo këshilli i ankesave. Por këtu është një moment shumë i rëndësishëm t’u shpjegojmë qytetarëve shqiptarë se Reforma Zgjedhore e cila mori shumë kohë, gati 3 vite, është një sukses i cili ka garantuar, që zgjedhjet e 25 prillit, padyshim janë të lira dhe demokratike, por pas shumë viteve qytetarët shqiptarë kanë mundësit të kenë dy vota (dy gishta) meqenëse ky është edhe simboli që Presidenti i Republikës po përpiqet t’ia vjedhë Partisë Demokratike”, u shpreh Balla.

Kujtojmë se në reagimin e Presidencës thuhej se arsyeja e kthimit në kuvend është ndryshimi dhe shtimi i disa çështjeve të tjera. Ai ka listuar 14 argumente kryesore për kthimin e ligjit. Përmes dokumentit 81 faqesh, Meta ka bërë një analizë të thellë të situatës politike që sipas tij, nga viti 2017 qeveria ka krijuar një klimë të acaruar politike në vend.

Meta ia ka dërguar dokumentin edhe Komisionit Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisionit të Venecias) për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces. Meta gjithashtu i bën thirrje PS që të reflektojë pasi ka miratuar një kod që e favorizon atë në zgjedhje.

Top Channel