“Ju rrugaca sallahana,vagabonda shakllabana”, Meta ‘sulmon’ Ramën me vargjet e Gjergj Fishtës

23/10/2020 10:44
Presidenti Ilir Meta

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka kujtuar poetin e shquar At Gjergj Fishta në 149 vjetorin e lindjes së tij.

Ai e përshkruan si figurë qendrore të veprimtarisë politike, artistike, klerike dhe diplomatike, ku roli dhe kontributi i tij ishin dhe mbeten gurthemel i rëndësishëm i vetëdijes shqiptare. Meta nuk ka lënë pa i dhënë një mesazh kryeministrit Edi Rama me vargjet e poetit të famshëm.

Presidenti thekson se Fishta fshikulloi si rrallëkush politikanët mercenarë e të korruptuar që minonin interesat kombëtare për përfitime personale, duke na lënë amanet për të qenë gjithmonë të vëmendshëm në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe të shtetit nga çdo kërcënim.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

“O Perëndi, a ndjeve?

Tradhëtarët na lanë pa Atdhe,

E Ti rri e gjuan me rrufe

Lisat n’për male kot…”

Si sot, 149 vite më parë lindi Epiku ynë më i madh, poeti i shquar At Gjergj Fishta, një nga figurat më të ndritura dhe më mbizotëruese të letërsisë shqipe, shprehësi më i fortë i idealeve atdhetare dhe demokratike, i cili jetësoi vlerat e Rilindjes sonë Kombëtare.

Figurë qendrore e veprimtarisë politike, artistike, klerike dhe diplomatike, roli dhe kontributi i tij ishin dhe mbeten gurthemel i rëndësishëm i vetëdijes shqiptare. Spikat veçanërisht roli i tij thelbësor në Kongresin e Manastirit ku u unifikua Alfabeti i Gjuhës Shqipe, me një angazhim të vyer për Pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit modern shqiptar, deputet, anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris, i angazhuar për njohjen diplomatike të Shqipërisë, gjithmonë në ballë të lëvizjeve për mbrojtjen e interesave kombëtare.

Edhe pse i përkushtuar ndaj një besimi, për të Shqiptaria ishte misioni më fisnik i kombit, që na e la trashëgimi dhe prej së cilës ne frymëzohemi edhe sot. At Gjergj Fishta me kryeveprën e tij “Lahuta e Malësisë” dhe me gjithë krijimtarinë e jashtëzakonshme, pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare, idealizoi dhe kërkoi shqiptarin e përjetshëm, heroin dhe misionarin e kombit që duhet të ndërmarrë impenjime shoqërore konkrete.

Ky është një mesazh që edhe sot mbetet më i fortë dhe i vlefshëm se kurrë: Të punojmë vetëm për të mirën dhe të ardhmen e ndritur të Shqipërisë. Padre Fishta fshikulloi si rrallëkush politikanët mercenarë e të korruptuar që minonin interesat kombëtare për përfitime personale, duke na lënë amanet për të qenë gjithmonë të vëmendshëm në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe të shtetit nga çdo kërcënim, që aq mjeshtërisht e ka shprehur në vargjet:

“Ju rrugaca sallahana

vagabonda shakllabana

rricna t’ndyet, mikrobe të kqi

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni në mushkni

pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

por der kur, bre batakçi!

Bre coftina, kalbe mbi dhè

der kur ju, tu tallë npër ne,

do t’na qelbi fis e Atdhè?”

Top Channel