Investime ne 38 rrugë/ Bashkia e Tiranës po restauron infrastrukturën në disa lagje

23/10/2020 15:48

Në Njësinë 3 ka nisur transformimi i 38 rrugëve e rrugicave, të cilat do t’i japin një pamje krejt tjetër bllokut që kufizohet nga Rr. “Ilia Shyti”, “Marie Kraja”, “Sterjo Spasse”, “Vangjush Miho”, “Tonin Harapi”, si dhe Rr. “Arjan Xhumari”, “Paro Kita”, “Violeta Manushi” e “Genci Leka”.

Pasi inspektoi punimet, kreu i Bashkisësë Tiranës, Erion Veliaj tha se kjo buqetë investimesh i rrit vlerën e pronës së qytetarëve.

“Ajo që po ndodh në Njësinë 3 është si një revolucion. Sot po ndërhyjmë në38 rrugë e rrugica, sidomos në zonat që janë zhvilluar pas viteve ’90, ku shumë qytetarë kanë shkrirë gjithë pasurinë e tyre, djersën, mundin dhe kursimet. Kishte ardhur koha për të vënë dorë, nuk do të bëjmë arna të vogla, por kemi shqepur të 38 rrugët, për të bërë kanalizimet, ndriçimin, të fusim telat poshtë dhe krijojmë hapësira për trotuare”, tha ai.

Veliaj siguroi banorët për përfundimin e punimeve në pranverë dhe kërkoi bashkëpunimin e tyre.

 “Mezi pres të kthehemi në pranverë, kur çdo gjë të ketë mbaruar. Çdo projekti që prek Bashkia e Tiranës i rrit vlerënpronës, ndaj dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të jenë bashkëpunues, siç kemi qenë deri tani. E di që po ndërhyjmë në çdo cep të Tiranës, por janë punë që kanë pritur prej vitesh; në disa raste humbasim kohë kot,si tek Astiri dhe Shqiponja, dhe në disa raste na duhet të kapim kohën e humbur, sidomos në zonat e reja që i janë bashkuar Tiranës, si Fresku apo Liqeni i Thatë”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se në fund vlerësohet vetëm puna. “Kush punon shpërblehet! Ne e kemi fokusin te puna, ashtu si edhe ju, dhe besoj që vetëm duke qenë të përqendruar, do dalim faqebardhë”, theksoi Veliaj.

Top Channel