Autoritetet koreano-jugore thonë se vdekja e një 17-vjeçari nuk ka lidhje me vaksinën e gripit që ai kishte marrë vetëm dy ditë më parë.
Ka patur alarm në vend pas raportimit të një numri viktimash pas marrjes së vaksinave të gripit. Të paktën 32 persona kanë humbur jetën pas marrjes së vaksinës. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se nuk ka një lidhje me programin e menaxhuar nga qeveria të vaksinimit që do të vazhdojë.
Deri më tani rreth 13 milionë njerëz janë vaksinuar. Autoritetet shpresojnë të parandalojnë një shpërthim masiv gripi, ndërkohë që vendi përballet me Covid-in. 17-vjeçari që humbi jetën ishte mes të parëve që u raportua pas marrjes së vaksinës. Tani, mjekët ligjorë thonë se nuk kanë gjetur asnjë provë që e lidh vaksinën e gripit me vdekjen. Koreja e Jugut do që popullata më vulnerabël, si të moshuarit, të vaksinohen ndaj gripit sezonal këtë vit. Sezoni i gripit zakonisht nis në fund të nëntorit dhe ekziston frika se nëse shkon paralel me pandeminë e koronavirusit, mund të rrisë rrezikun për këto grupe vulnerabël.
Sipas mediave vendase, rreth 3 mijë viktima si pasojë e gripit regjistrohen në Korenë e Jugut çdo vit.
Top Channel