Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji, kundër të pandehurin Labinot Gruda, mbi të cilin rëndon vepra penale për “Keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, me rastin e vjedhjes të 2 milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i shtetit.
Masa e paraburgimit është bazuar nën dyshimet se Gruda me 9 tetor 2020 në cilësinë e personit zyrtar ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke realizuar transaksione në vlerë prej 2,077,995.90 euro në adresë të një kompanie, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë.
Por, avokati i Grudës, Veton Rrecaj pas përfundimit të seancës dëgjimore ka thënë se prokuroria nuk ka arritur të dëshmoj se transaksioni është kryer nga i dyshuari.
Top Channel ka kërkuar përgjigje nga Departamenti i Krimeve Ekonomike, pranë Policisë së Kosovës nëse ka arritur të marrë informacione mbi vendndodhjen e pronarëve të kompanisë “LDA Group” Kamer dhe Valon Shala, të cilët kanë pranuar shumën e parave, si dhe nëse ka të dyshuar të tjerë të përfshirë në proces, por nuk ka marrë përgjigje.
Të tri palët e dyshuara janë nga fshati Komoran i Drenasit dhe besohet të jenë të afërt me PDK-në, parti kjo që po e mohon afërsinë me ta.
Derisa burime të Top Channel brenda Ministrisë së Infrastrukturës, mjetet e të cilëve ishin marrë për kryerjen e 4 transaksioneve të 2 milionë e 77 mijë eurove, kanë treguar se nuk kanë pasur asnjë kontratë me kompaninë në fjalë.
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, del se kjo kompani është regjistruar në shtator të 2019, ka vetëm dy punëtor dhe ka zero kapital të deklaruar.
Kompania ka deklaruar se merret me ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, demolimin e tyre, përgatitjen e vendpunishtes dhe instalime elektrike.
Top Channel