Riatdhesimi i fëmijëve dhe grave shqiptare/ Drejtori i antiterrorit, vizitë blic në Siri

22/10/2020 15:20

Mediat kurdo-siriane të rajonit Rojava në Siri raportojnë për një vizitë të përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme shqiptare, të cilët janë duke u përpjekur për të ndërtuar një operacion riatdhesimi të fëmijëve dhe grave shqiptarë të mbetur në kampin Al-Hol.

Top Channel duke iu referuar medias kurdo- siriane, që ka publikuar edhe fotot e takimit raporton se me autoritetet vendase janë takuar konsulli i Shqipërisë në Liban Marc Ghorayeb i cili është njëkohësisht këshilltar jo rezident i kryeministrit Edi Rama, së bashku me Gledis Nano drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit dhe Indrit Doda, po nga kjo drejtori.

Pala shqiptare është pritur nga zyrtarët Abdul Karim Omar dhe Fenner Kaait pjesë e departamentit me marrëdhëniet me jashtë në qytetin Kamishli, provinca ku është edhe kampi Al Hol. Ky rajon qeveriset nga autoritete kurde. Sipas medias vendase krahas ndihmës të kërkuar nga delegacioni shqiptarë për të riatdhesuar fëmijët dhe gratë shqiptarë është folur edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe luftën ndaj terrorizmit. Autoritet e Rojavas në këtë takim kanë thënë se ato gra që janë vënë nën procedim penal nga autoritet kurdo-siriane duhet të presin mbarimin e hetimin e më pas mund të kthehen në një moment të dytë.

Kjo vizitë është në vazhdën e përpjekjeve të qeverisë shqiptare e orientimeve të kryeministrit Edi Rama për të riatdhesuar të gjithë fëmijët dhe gratë shqiptarë nga Siria. Disa javë më parë po për këtë çështje qëndroi disa ditë në Liban edhe ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj. Një burim nga Policia e Shtetit i tha Top Channel se dy zyrtarët e antiterrorit shqiptar kanë 4 javë që ndodhen në Liban për të ndërtuar dhe finalizuar të gjithë operacionin e riatdhesimit. Ky operacion është shumë delikat për shkak të komplikacioneve që do të shkaktojë me vendet si Turqia, e cila ka një qëndrim të ashpër ndaj kurdëve në Siri dhe Irak.

 

 

FOTO GALERI
1/7

Top Channel