Opozita demokratike bjelloruse është nderuar me Çmimin Sakharov për Liri të Mendimit, që ndahet nga Parlamenti Europian.

“Është një nder të njoftoj se gratë dhe burrat e opozitës demokratike të Bjellorusisë janë laureatët e këtij çmimi për vitin 2020”, deklaroi përpara ligjvënësve evropiane presidenti i PE-së, David Sassoli. Ceremonia e ndarjes së këtij çmimi do të mbahet më 16 dhjetor në Parlamentin Europian, edhe pse ende është e paqartë nëse do të zhvillohet në ndërtesën e tij për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Çmimi Sakharov do të ndahet për një sërë figurash të opozitës, përfshirë Svyatlana Tsikhanouskaya, Maryya Kalesnikava, Veranika Tsapkala, si dhe bashkëshortin e Tsikhanouskayas që është në burg. Në listën e ngushtë për ta fituar këtë çmim këtë vit ishin edhe një grup aktivistësh të ambientit në Honduras si dhe Najeeb Michaeel, kryepeshkop në qytetin irakian të Mosulit. Protestat kundër Alyaksandr Lukashenkës në Bjellorusi vazhdojnë që prej zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, ku ai thotë se ka fituar. Në këto protesta, mbi 10 mijë persona janë raportuar se janë arrestuar, disa të vdekur dhe qindra të lënduar.

Top Channel