I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, deklaroi se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nuk është i lehtë dhe se zgjidhja do të jetë një “kompromis i dhimbshëm”.
“Për këtë arsye po përpiqemi të arrijmë tre qëllime në të njëjtën kohë – së pari, për të normalizuar të dy palët, së dyti, për të ndërtuar procese dhe zgjidhje të ardhshme bazuar në normat dhe vlerat europiane dhe së treti, për të kontribuar në stabilitetin rajonal.
Ky nuk është proces i lehtë, por padyshim ia vlen ”, theksoi Lajçak. Këto komente zyrtari I larte europian i bëri në Forumin për Siguri të Beogradit, që këtë vit u organizua virutalisht. Në të, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic shprehën pikëpamje të ndryshme, sa i përket mënyrës se si të dyja shtetet mund të arrijnë deri te një marrëveshje përfundimtare.
Lajçak tha se procesi i dialogut duhet të sjellë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, paqe të qëndrueshme dhe prosperitet. Zyrtari i BE-së shtoi gjithashtu se nuk mund të arrihet paqe e qëndrueshme nëse nuk ka besim mes partnerëve.
Top Channel