Ekonomia do tkurret me 8.4 përqind/ Banka Botërore: Rimëkëmbja do të jetë e ngadaltë

22/10/2020 15:02

“Rimëkëmbja e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë e ngadaltë. Kjo veçanërisht për Shqipërinë, për shkak të dy goditjeve që ka marrë vendi, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia Covid-19. Janë këto konkluzionet e raportit të Bankës Botërore, sipas të cilit ekonomia shqiptare do të tkurret me 8.4% këtë vit, teksa parashikon një rimëkëmbje graduale vitin ardhshëm me një rritje ekonomike në nivelin e 5%.”

Varësia nga turizmi, një nga sektorët më të prekur nga pandemia shihet edhe si faktori kryesor i recesionit të thellë që po kalon vendi.

Teksa vlerëson reagimin e shpejtë të autoriteteve për marrjen e masave kundër krizës, raporti vë në dukje se pozita fiskale e vendit pritet të përkeqësohet ndjeshëm këtë vit me rritje të deficitit buxhetor dhe ulje të të ardhurave tatimore, çka sipas sipas tij do ta çonte nivelin e borxhit publik në 81.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Por, edhe pse me hapa të ngadaltë raporti vlerëson se ekonomia pritet t’i rikthehet rimëkëmbjes në 2021 me një rritje prej 5%, e cila do të mbështet nga eksportet, konusmi dhe investimet që pritet të gjallërohen vitin e ardhshëm. Një hov zhvillimit ekonomik pritet t’i japë gjithashtu edhe procesi i rindërtimit pas tërmetit, investimet private e publike mbështetur nga reformat e qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

Mbajtja nën kontrolle pandemisë do të japë efekt edhe në përmirësimin e ecurisë së të ardhurave vlerëson raporti, sipas të cilit pritet të arrijnë në 27.6% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar deri në vitin 2022.

Sa i takon tregut të punës, Banka Botërore vlerëson se perspektiva e punësimit do të varet shumë nga ecuria e sektorit të shërbimeve që ka marrë një goditje të fortë për shkak të masave kufizuese dhe mbylljes së kufijve si dhe rindërtimit që pritet të gjenerojë vende të reja pune.

Top Channel