24 orët e fundit shënuan një kapërcim të frikshëm të shifrave të pandemisë në Maqedoninë e Veriut.
Vendi fqinj shënoi 12 të vdekur e 641 raste të reja, të dhëna këto alarmuese që dëshmojnë qartë se vala e dytë e sëmundjes po jep me forcë efektet e saj. Bilanci shqetësues vjen në kohën kur në vend hynë në fuqi masat e reja kufizuese për mbrojtjen nga koronavirusi, e që kryesisht kanë të bëjnë me transportin publik, restorantet dhe administratën publike.
Vendimi i qeverisë parashikon që të gjitha lokalet dhe restorantet të punojnë deri në orën 23:00, transporti publik ta reduktojë në 50 për qind kapacitetin e pasagjerëve, ndërsa institucionet shtetërore dhe publike ta organizojnë punën e të punësuarve me turne, rotacion apo edhe punë nga shtëpia.
Qeveria la në fuqi edhe masën për mbajtjen e aktiviteteve sportive pa praninë e shikuesve. Ndërkohë, nuk ka ende marrëveshje mes partive për masat e tjera që kanë të bëjnë me mbajtjen e maskës në ambiente të hapura, ndalimin e grumbullimit të më shumë se katër personave pas orës 22:00, si dhe ndalimin e vizitave të më shumë personave nëpër familje. Këto masa nuk mund të miratohen pa mbështetjen e opozitës, meqë shumica parlamentare nuk i ka votat e mjaftueshme.
Top Channel