Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task-Forcës speciale kundër korrupsionit, që ka funksionuar në kuadër të Policisë së Kosovës, ngrit shqetësime serioze rreth përkushtimit të Kosovës për të luftuar korrupsionin, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero.
Teksa është deklaruar për këtë çështje, ajo ka thënë se “kjo zyrë luan rol kyç në luftën kundër korrupsionit, siç është vlerësuar edhe në Raportin e Progresit dhe në raportin për monitorimin e drejtësisë të prezantuar nga misioni i BE-së për sundimin e ligjit (EULEX)”.
“Qeveria duhet që sa më shpejt të jetë e mundur ta sqarojë pozicionin e saj”, ka thënë kjo zëdhënëse e BE-së.
Edhe diplomatët e shteteve anëtare në Bruksel, janë shprehur të habitur sesi menjëherë pas Raportit të Progresit, në të cilin pikërisht është kërkuar më shumë vullnet politik për të luftuar korrupsionin, Kosova shuan një prej njësive që kanë pasur rol në këtë drejtim.
Në raportin e Progresit të miratuar para dy javësh thuhej se “Task-Forca kundër korrupsionit, që vepron si njësi speciale brenda Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës, heton dhe zbulon veprat e shkeljeve penale ekonomike, financiare si dhe korrupsionit”.
“Policia ishte e angazhuar në disa hetime të korrupsionit brenda institucioneve të Qeverisë së Kosovës dhe si rezultat i kësaj, disa raste të profilit të lartë janë paraqitur para prokurorisë”, thuhej në Raportin e Progresit në pjesën ku flitej për rezultatet e luftës kundër korrupsionit.
Aty përmendej se këto masa kishin sjellë edhe deri te aktakuzat ndaj dy gjykatësve në dy rajone të ndryshme.
“Gjatë periudhës së raportimit, numri i hetuesve financiarë që punonin në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit ishte rritur. Hetimet financiare duhet të kryhen në mënyrë sistematike, të pavarur dhe paralelisht me procedurat penale për korrupsion dhe krim të organizuar” kishte konstatuar Komisioni Evropian në Raportin e Progresit.
Top Channel