Gati 11 mijë raste të reja dhe 89 vdekje; Italinë po e mbërthen sërish paniku i koronavirusit, me shifrat që rriten dita-ditës duke risjellë shumë e më shumë para syve tablonë tmerruese të përpara disa muajve, kur fqinji ynë përtej Adriatikut u kthye në vendin më të goditur prej pandemisë në Europë.
Kjo është e katërta herë që nga shpërthimi i sëmundjes që Italia shënon mbi 10 mijë raste në ditë. Të sëmurët rëndë në terapi intensive kanë mbërritur në 870. Nisur nga kjo situatë, autoritetet në Lombardi dhanë dritën jeshile për vendosjen e orës policore, e cila do të nisë nga 23.00 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit.
Ndalim qarkullimi pritet të hyjë në fuqi nga e enjtja. Disa ekspertë mendojnë sakaq se të paktën për Milanon, gjendja e shtetrrethimit nuk është e mjaftueshme. Virologu Fabrizio Pregliasco argumenton se ora policore është e nevojshme për shkak të situatës eksplozive në këtë qytet, por duhet shoqëruar sipas tij edhe me masa të tjera të forta.
”Gjurmimi i kontakteve në disa rajone italiane, por sidomos në Lombardi nuk po menaxhohet dot më, e kjo për shkak të përhapjes së natyrshme të virusit, shprehet ai, ndërsa sugjeron vendosjen e asaj që e quan “një karantinë e butë”.
Top Channel