Buxheti i vitit 2021 për rimëkëmbjen/ Rritja ekonomike 5.5%. Rritje të pagave, lehtësim të taksave

20/10/2020 15:10

Qeveria ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2021, i cilësuar si buxheti i rimëkëmbjes pas dy goditjeve që mori vendi nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia Covid-19.

Në dokumentin zyrtar të Financave, bëhet e ditur se qeveria ka rishikuar në ulje pritshmëritë për rritjen ekonomike në -6.1% këtë vit si pasojë e koronavirusit, nga -4.5% që ishte në vlerësimin paraprak të ekzekutivit, duke iu afruar kështu vlerësimit të Bankës Botërore në -6.4%, teksa BERZH dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë një parashikim më pesimist përkatësisht -9% dhe -7.5%.

Ndërsa për vitin e ardhshëm, qeveria prêt që ekonomia t’i rikthehet rimëkëmbjes dhe rritja ekonomike parashikohet në 5.5%.

Procesi i rindërtimi do të jetë edhe një nga prioritetet kryesore të buxhetit të vitit të ardhshëm, i cili parashikon një financim prej 28 miliardë lekësh ose 225.4 milionë euro në funksion të tij, teksa do të mbështeten edhe sektorë të tjetër si arsimi e shëndetësia me rritje të pagave e investime të shtuara si dhe bujqësia përmes skemave mbështetëse apo heqjes së akcizës së naftës për fermerët.

Në vitin 2021 të ardhurat buxhetore parashikohet të arrijnë në 479 miliardë lekë ose 3.8 miliardë euro, rreth 10.6%  më shume se krahasuar me buxhetin e vitit aktual, ku pritet që të rriten ndjeshëm arkëtimet nga tatimet dhe doganat me 12.2%, diçka që duket e vështirë për t’u realizuar në kushtet kur për 9-mujorin e këtij viti të ardhurat pësuan një rënie prej 290 milionë euro.

Shpenzimet publike nga ana tjetër janë planifikuar në masën e 587.6 miliardë lekë në total, në rritje të lehtë prej 1.4% në krahasim me pritshmëritë e vitit 2020, ku pritet të mbështeten një sërë investimesh publike si dhe financohen disa projekte të rëndësishme strategjike.

Sa i takon projekteve prioritare infrastrukturore që pritet të marrin mbështetje dhe financim nga buxheti i shtetit përfshijnë ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, Unazën e re e Tiranës, rrugën Kardhiq- Delvinë si dhe është planifikuar po ashtu edhe zgjerimi i rrjetit të rrugëve kombëtare dhe akseve rrugore me rëndësi. Deficiti buxhetor gjatë vitit të ardhshëm planifikohet në nivelin e 6.5% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar ose 108.6 miliardë lekëve, ccka tregon për një përkeqësim të këtij treguesi, i cili sipas Financave i atribuohet tërmetit dhe situatës së krijuar nga pandemia.

Borxhi publik nga ana tjetër parashikohet t’i kthehet një trajektore rënëse në vitin 2021. Teksa këtë vit pritet të arrijë në nivele rekord prej 80.9%, vitin e ardhshëm ekzekutivi parahsikon një trajektore rënëse të këtij treguesi në 78.6%.

Top Channel