Zonja e parë e Francës, Brigitte Macron është në izolim për shkak të kontaktit me një person që ka rezultuar i prekur nga Covid 19.

Bashkëshortja 67 vjeçare e shefit të Elizesë nuk ka simptoma, por ashtu siç e dikton protokolli, është karantinuar për një javë. Lajmin e kanë përcjellë burime pranë saj, sipas të cilave për këtë arsye, Brigitte do të mungojë në ceremoninë e organizuar në nder të mësuesit që u masakrua në 15 tetor. Rastet ditore në Francë kanë kapërcyer 30 mijë, ndërsa totali i infektimeve është 910 mijë e vdekjet mbi 33.600.

Vende të ndryshme të Europës po përballen me një rritje frikësuese të shifrave. Autoritetet belge deklaruan se situata atje është më e rëndë se në muajin mars gjatë valës së parë të pandemisë së koronavirusit, pasi numri i rasteve ka prekur rekorde të reja, ndërsa ai i të shtruarve në spital është duke u dyfishuar çdo javë. Lombardia i kërkoi qeverisë italiane vendosjen e orës policore në 23.00 dhe mbylljen e qendrave tregtare në fundjavë. Walesi në Angli shkon në izolim për dy javë duke nisur nga e premtja, ndërsa Polonia ktheu një stadium futbolli në spital fushor. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri global i rasteve të konfirmuara me koronavirus kaloi shifrën shifrën 40 milionë, ndërsa viktimat janë mbi 1.1 milion.

Top Channel