Kosovë/ Qëllohet me armë zjarri makina e gazetarit (foto)

19/10/2020 10:22

Në Kosovë shoqata e gazetarëve, misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe udhëheqës institucionesh e partish politike, bënë thirrje për hetimin e shpejtë dhe vënien para drejtësisë të atyre që qëlluan më armë zjarri mbi makinën e gazetarit Shkumbin Kajtazi.

Kajtazi nga gazeta në internet Reporteri.net, tha se të shtunën mbrëma makina e tij është qëlluar me armë zjarri në qendër të Mitrovicës.

Policia tha se po e heton rastin si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, por ende nuk ka njohuri për autorët apo motivet e mundshme të kësaj ngjarjeje.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar atë “tejet shqetësues dhe rëndon jo vetëm klimën e të bërit gazetari, por rrezikon edhe jetën e kolegëve tanë. AGK fton organet kompetente që ta hetojnë sa më shpejtë këtë rast, në mënyrë që personat që kanë kryer këtë akt të dalin para drejtësisë”.

Në reagimin e kësaj shoqate thuhet se “është shqetësues fakti se si brenda një periudhe prej katër muajsh kanë ndodhur dy sulme në drejtim të gazetarit, Shkumbin Kajtazi. Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj interesit publik dhe demokracisë në vend”, thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Duke i bërë jehonë këtij reagimi, misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë e dënoi “këtë akt të frikësimit” dhe iu bashkua thirrjeve për hetimin e sulmit dhe ndjekjen e atyre që janë përgjegjës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u shpreh i shqetësuar me lajmin për sulmin.

“Liria e medias dhe liria e shprehjes janë të garantuara me ligj dhe do të mbrohen në secilën rrethanë. Prandaj, kërkoj nga organet e rendit që ta trajtojnë rastin e Shkumbinit me prioritet të lartë dhe t’i zbardhin rrethanat e sulmit. Sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave janë sulme direkte ndaj vlerave demokratike, prandaj edhe do të trajtohen me prioritet nga organet e rendit në Republikën e Kosovës”, shkroi ai në llogarinë e tij në facebook.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shkroi se “liria nuk është e plotë pa të drejtën e fjalës”, duke e cilësuar lajm të keq për vendin sulmin ndaj gazetarit Kajtazi.

“Organet e sigurisë duhet të merren më seriozisht me mbrojtjen e gazetarëve, veçanërisht atyre hulumtues. Ata që po tentojnë që Kosovën ta paraqesin si një vend të pasigurt, ku cenohet fjala e lirë, përmes sulmeve qyqare, duhet të zbulohen dhe të ndërpritet veprimtaria e tyre shumë e dëmshme për vendin”, shkroi ai./VOA

FOTO GALERI
2/6

Top Channel