​Shpend Ahmeti: Taksa për vetura vlen për të gjithë, jo vetëm për rajone tjera

19/10/2020 21:48

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti është deklaruar serish lidhur me propozimin e tij për vendosjen e taksës për veturat që hyjnë në kryeqytet.

Pas reagimeve të ndryshime lidhur me këtë çështje, i pari i Prishtinës ka përdorur serish Facebookun për të dhënë sqarime shtesë.

“S’është taksë për qytete tjera, por pagesë shtesë për një pjesë të qendrës ku ka shumë tollovi me vetura. Kjo vlen për krejt dhe jo vetëm për regjione të tjera. Kjo s’fillon tash, por do të ketë diskutime. Kjo shkon bashkë edhe me rregullin në trafik, kamerat e trafikut. Pra, ka kohë dhe është politikë progresive”, ka shkruar ai.

Ahmeti më herët kishte thënë se numri i sëmundjeve respiratore dhe fataliteteve si rezultat i ndotjes është i madh, andaj kjo është njëra prej arsyeve për vendosjen e një takse për vetura në Prishtinë.

Kjo kishte shkaktuar reagime nga kryetarë të komunave të tjera, dhe të Lëvizjes Vetëvendosje që janë shprehur haptas kundër kësaj ideje. /Kosova Press/

Top Channel