PD censuron videon/ Punonjësit e Sharrës përmendën kohën kur e menaxhonte Basha

18/10/2020 16:53

Partia Demokratike u përpoq sot, që përmes një videoje të montuar në selinë blu, të akuzojë landfillin e Sharrës se nuk lejoi dy përfaqësues të saj, Belind Këlliçin dhe Ina Zhupën, të bënin një denoncim.

Në fakt e vërteta është krejtësisht ndryshe, pasi jo vetëm që ata nuk u penguan, por madje u ftuan të futen brenda landfillit të Sharrës, për të parë investimin modern.

Por ajo që ra në sy në denoncimin e PD, ishte fakti i censurimit të pjesës ku flitet për kunatin e Lulzim Bashës. Belind Këlliçi dhe Ina Zhupa e kishin fshirë momentin kur punonjësit u kujtuan atyre se në kohën që impianti menaxhohej nga kunati i Lulzim Bashës, ata paguheshin 30 lekë.

 

Kujtojmë se në kohën që Lulzim Basha ishte kryebashkiak i Tiranës, ai kontraktoi pikërisht një kompani, që kishte lidhje me kunatin e tij, Erjon Isufin, për përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve, duke krijuar një monopol në Sharrë.

Censurimi i videos, tregon se për çfarë bëhet në të vërtetë “kauza” e opozitës, e cila tashmë e ka spostuar aksionin nga rrëzimi i Ramës, tek inceneratorët.

Denoncimet e PD me montazhe, duke fshehur të vërtetat e dhimbshme për kryetarin, tregojnë se nuk është në qendër interesi publik. Gazeta Shqip/

 

Top Channel