Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të enjten për 535 raste të reja me koronavirus dhe gjashtë viktima nga testimi i 2,445 mostrave në 24 orët e fundit. Këto janë shifrat më të larta me të infektuar brenda një dite që nga përhapja e virusit në këtë vend. Qyteti me numrin më të madh të të infektuarve është Shkupi me 277 persona.

Pavarësisht numrit të lartë të të infektuarve në qendra spitalore janë shtruar një numër i vogël pacientësh. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 168 persona të shëruar. Sipas raportit të publikuar, deri më tani me koronavirus, janë prekur 22,170 persona dhe prej tyre 815 kanë vdekur, 16,758 janë shëruar kurse raste aktive janë 4,597.

Shumica parlamentare ndërkohë ka kërkuar nga opozita të mbështesë miratimin e ndryshimeve ligjore për zbatimin e masave të reja anti-COVID. “Masat kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik. Situata me të prekurit nga COVID-19 është tejet e vështirë dhe gjithçka do të varet nga vetë ne sesa shpejtë do të mund të stabilizojmë këtë situatë që ka prekur jo vetëm vendin tonë por të gjithë botën”, kanë deklaruar zyrtarë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

VMRO-DPMNE-ja opozitare ka thënë se do ta shqyrtojë propozimin e Qeverisë për masa të reja ndërsa paralajmëron edhe dorëzimin të propozimeve të saj. Qeveria tashmë ka miratuar masa që kryesisht kanë të bëjnë me mbajtjen e maskave në ambiente të hapura, kufizimin e grumbullimit të më shumë se katër personave pas orës 22:00, kufizimin e kapaciteteve të objekteve të gastronomisë, por edhe kufizimin e mysafirëve nëpër familje. Megjithatë këto masa duhet të miratohen edhe nga Kuvendi.

Top Channel