Ligji i ri/ 5 vetë dënohen me vdekje në Bangladesh për përdhunimin e 15-vjeçares në 2012

16/10/2020 20:14

Pesë burra që përdhunuan një vajzë 15-vjeçare, janë dënuar me vdekje sot në Bangladesh, vetëm disa ditë pas aprovmit të dënimit kapital për rastet e përdhunimit.

Dënimi u dha në rajonin verior të Tangail nga një gjykatë speciale e krijuar për rastet e abuzimit me gratë dhe fëmijët.

Prokurori Nasim Ahmed thotë se i dashuri i viktimës e kishte marrë atë buzë një lumi ku e kishte përdhunuar bashkë me dy shokë. Ndërsa dy të tjerë i kishin ndihmuar.

“Të pestë ata u shpallën fajtorë dhe u dënuan me vdekje”, tha Ahmed për rrjetin AFP.

Kjo shënon dënimet e para që kur qeveria e kryeministrit Sheikh Hasina caktoi dënimin me vdekje për përdhunimet.

Përdhunimet në grup merrnin edhe më parë dënimin me vdekje në Bangladesh, ndërsa përdhunimi nga një shkelës i vetëm dënohej me burgim të përjetshëm.

Por javën e kaluar dhjetra demonstrata u zhvilluan në të gjithë vendin, pas përhapjes në mediat sociale të pamjeve turbulluese të një grupi djemsh që zhvishnin dhe sulmonin një vajzë.

Protestuesit në kryeqytetin Dhaka, kërkonin dënime më të rënda për përdhunuesit për ndryshimin e kulturës së pandëshkueshmërisë për këto krime.

Në Bangladesh vetëm rreth 3 për qind e rasteve të përdhunimit përfundojnë me dënim të sulmuesit.

Grupi i të drejtave Ain-o-Salish Kendra, thotë se 889 raste përdhunimi kanë ndodhur nga janari deri në gusht të këtij viti, dhe 41 prej viktimave kanë vdekur gjatë sulmeve.

FOTO GALERI
1/3
Pesë burra që përdhunuan një vajzë 15-vjeçare, janë dënuar me vdekje sot në Bangladesh

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA