Maqedonia e Veriut, të mërkurën, regjistroi 445 raste të reja me sëmundjen COVID-19 dhe nëntë viktima. Rastet e reja rezultuan nga testimi i 2,441 mostrave në 24 orët e fundit, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë. Kjo është shifra më e lartë e të infektuarve brenda një dite që nga fillimi i pandemisë në muajin mars të këtij viti.

Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup, gjithsej 249 raste. Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Maqedoninë e Veriut arrin në 21,636. Prej tyre, 809 pacientë kanë vdekur. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha ndërkohë se institucionet shëndetësore kanë kapacitet dhe plan konkret për menaxhimin e gjendjes.

Ai tha se rritja e numrit të rasteve me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut ka ardhur kryesisht nga manifestimet dhe festat e ndryshme brenda familjeve, nga kafenetë dhe mosrespektimi i masave. Sipas një raporti të Institutit të Shëndetit Publik të Maqedonisë së Veriut, nga data 5 deri më 11 tetor, numri i të infektuarve është rritur për 86.5%, në krahasim me një javë më parë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha ndërkohë se rritja e rasteve të koronavirusit nuk ka ardhur nga jashtë kufijve të Maqedonisë së Veriut, ndaj, sipas tij, nuk ka nevojë për rishqyrtimin e vendimit.

Maqedonia e Veriut, më 12 tetor, i ka hapur kufijtë pa Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi, pa kërkuar testin për koronavirus. Vendimi për kërkimin e testeve është marrë në fillimet e pandemisë, në përpjekje për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID-19.

Top Channel